Mbyllen me sukses ndeshjet e UEFA Futsal Champions League në Tiranë

Futboll

Mbyllen me sukses ndeshjet e UEFA Futsal Champions League në Tiranë

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 12:17
Mbyllen me sukses ndeshjet e UEFA Futsal Champions League në Tiranë

Janë luajtur ndeshjet e fundit të UEFA Futsal Champions League të vlefshme për fazën kualifikuese të Grupit C, që u zhvilluan në sallën e Parkut Olimpik të Tiranës në kryeqytetin shqiptar.

Në ora 17:00 është zhvilluar ndeshja Utleira – Differdange, që u mbyll me fitoren surprizë 2-4 të skuadrës nga Luksemburgu. Norvegjezët e Utleiras në fakt e nisën mirë sfidën dhe kaluan dy herë në avantazh, por Differdange në të dyja rastet baraspeshoi gjithçka. Në minutat e fundit Differdange firmosi edhe përmbysjen, duke shënuar dy herë e duke vulosur shifrat në 2-4. Protagonisti kryesor ishte sulmuesi Paulo Jorge De Azevedo Silva,i cili shënoi tre nga 4 golat për luksemburgasit. Kjo ishte fitorja e parë e Differdange më grup pas dy humbjesh, ndërkohë që të dyja skuadrat e mbyllën fazën e grupit me 3 pikë të marra nga secila.

Në ndeshjen e dytë përballë u vuna KF Tirana dhe hungarezët e Haladas. Miqtë e nisën mirë ndeshjen dhe gjetën golin e parë me anë të Henrique Diniz De Sousa, ndërsa disa minuta më vonë dyfishojnë me golin e Kevin Nagy. Por Tirana nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe arrin të shkurtojë diferencën me golin e Mentor Mejzinit. Ndërkaq, në fund të pjesës së parë hungarezët humbën edhe një penallti, që u prit nga portieri i bardhebluve, Klodian Rrapi.

Minutat e fundit kanë qenë dramatike me Tiranën që sulmonte, por pa gjetur golin.

Në një kundërsulm Droth shënon golin e tretë për Haladas, me Tiranën që reagon shumë shpejt dhe ngushton sërish diferencën me golin e Ramadan Alajt. Haladas ruan deri në epërsinë 3-2 dhe arrin fitoren e tretë, duke e mbyllur grupin në vendin e parë dhe duke u kualifikuar për në fazën tjetër të Futsal Champions League. Tirana e mbylli fazën e grupit me 3 pikë në 3 ndeshje.

Të gjashta ndeshjet e vlefshme për Grupin C të UEFA Futsal Champions League u luajtën në Tiranë në datat 21-24 gusht dhe u organizuan nga Federata Shqiptare e Futbollit. Duhet theksuar se gjithçka ka shkuar në mënyrën më pozitive të mundshme dhe FSHF ka organizuar me sukses ndeshjet e vlefshme për turneun më të rëndësishëm të turneut kontinental për futbollin e sallës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat