E kishte frikë virusin, ruhej shumë! Eros Grezda rrëfen momentet

Futboll

E kishte frikë virusin, ruhej shumë! Eros Grezda rrëfen momentet

Më: 14 shtator 2021 Në ora: 13:21
E kishte frikë virusin, ruhej shumë! Eros Grezda rrëfen momentet

Ylli Mihali, fizeoterapisti që ka qenë pjesë e stafit kuqezi prej 27-vjetësh, u nda nga jeta pas një beteje të gjatë me Covid-19.

Ai ishte infektuar me koronavirus prej afro një muaji, pavarësisht se i kishte kryer të dyja dozat e vaksinës. Prej afro dy javësh, ai ishte i shtruar në spital, në gjendje të rëndë, duke qëndruar edhe në intubim.

Ylli Mihali ishte një personalitet mjaft i njohur dhe i dashur në ambientin sportiv. Me punën e tij në ekipin kombëtar, por edhe si pjesë e stafit të Tiranës, gjatë tre dekadave të fundit ai ka ndihmuar jo thjesht futbollistët e nivelit të lartë, por është kujdesur për sportistë të të gjitha skuadrave në momentet e vështira të lëndimeve.

Pothuajse të gjithë futbollistët apo edhe trajnerët e kombëtares shqiptare ndër vite kanë reaguar me mesazhe ngushëllimi për mikun e tyre. I intubuar prej ditësh në spital, Mihali në moshën 55-vjeçare nuk ia doli të fitonte betejën më të rëndësishme në jetë, duke tronditur botën e sportit në Shqipëri.

Futbollisti i njohur, Eros Grezda, ishte sot në një lidhje “Skype” me emisionin “Shqipëria Live” në TCH, për të treguar njohjen e tij me Yllin dhe takimin e fundit me të.

“E kam takuar 7-8 muaj më parë kur isha në Tiranë, isha bërë operacion dhe kisha një terapi. Sa herë vija në Tiranë e takoja gjithmonë. Ylli ka pasur një pozitivitet që nuk e kam parë te asnjë tjetër. Kur shkova për herë të parë në kombëtare, lojtarët nuk të jepnin hapësirë, Ylli ishte shumë i afërt me mua”, tregoi Eros.

Ky i fundit tregoi se si Ylli e kishte frikë virusin dhe se te puna e tij private kishte masa strikte. Grezda u shpreh se nuk e dinte se ishte i vaksinuar, por para disa ditësh kishte komunikuar me gruan e Mihalit.

“Të premten apo të shtunën kam folur me gruan e tij dhe më tha fjalë të mira. U lehtësova disi, por kur mora lajmin ishte një trishtim. Nusja e Yllit më tha se mjeku i kishte thënë se kishte përmirësime. Sipas fjalëve të saj, Ylli do të dilte pas pak ditësh.  Ai ishte shumë i shëndetshëm. Kishte raste rreth tij me Covid që ishin të infektuar dhe në gjendje të rëndë. Si pasojë ai ruhej shumë”, tha futbollisti i njohur.

Gjithashtu Grezda tregon këshillat që Mihali i ka dhënë atij. Sipas tij, Ylli i thoshte që të mos fokusohej te vajzat por te futbolli, pasi ishte i ri.

Nga ana tjetër, Eros tregon edhe golin që ka festuar me Mihalin, i cili ishte shumë merita.

“Kisha problem te kofshët, e dija që vetëm duart e tij bënin mrekulli. Më bëri një masazh dhe më tha se do bësh gol. Bëra golin e parë me Turqinë dhe kam festuar shumë me të. Ylli kishte shumë merita te ky gol”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat