Kombëtarja U-18 fiton testin ndaj Kombëtares U-17

Futboll

Kombëtarja U-18 fiton testin ndaj Kombëtares U-17

Më: 24 shtator 2021 Në ora: 18:39
Kombëtarja U-18 fiton testin ndaj Kombëtares U-17

Kombëtarja e Shqipërisë U-18 ka fituar me rezultatin 3-0 miqësoren me Kombëtaren U-17 të zhvilluar këtë të premte në kompleksin “Internacional” në Pezë Helmes. Një test që u ka shërbyer të dyja skuadrave për të parë gjendjen aktuale të futbollistëve të vitlindjes 2004, 2005 dhe disa të vitlindjes 2006.

Kombëtarja U-17 e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku e ka nisur ndeshjen me këtë formacion: Totoshi, Basha, Alite, Marku, Ziu, Ad. Kurti, Ruci, Rama, Reci, Syla, Bode.

Ndërsa, trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari hodhi në fushë këtë 11-sh startues: Simoni, Burgaj, Sina, Taleb, Dervishi, Skënderaj, Zengu, Bebeziqi, Hasani, Biba, Toverlani.

18-vjeçarët e nisën mirë ndeshjen, duke treguar superioritet dhe në minutën e 30-të gjetën golin e avantazhit që u shënua nga sulmuesi Santino Biba. Pjesë e parë u mbyll 1-0 në favor të Kombëtares U-18, ndërkohë që me fillimin e pjesës së dytë trajnerët e të dyja skuadrave bënë zëvendësime duke aktivizuar të gjithë lojtarët e grumbulluar për këtë miqësore.

Në minutën e 60-të vjen edhe goli i dytë i Kombëtares U-18, që u shënua nga Lorenco Hasani, teksa në minutën e 75-të erdhi dhe goli i tretë i realizuar nga Igli Rrapi, i cili kishte hyrë si zëvendësues në pjesën e dytë. Një gol që fiksoi edhe rezultatin përfundimtar të miqësores në shifrat 3-0 në favor të Kombëtares U-18. Të dy trajnerët u shfaqën të kënaqur me përgjigjet që morën nga lojtarët e grumbulluar për këtë test të radhës.

Duhet theksuar se Kombëtarja U-17 vinte pas miqësores së 22 shtatorit me Kosovën U-17, të luajtur në Prishtinë dhe që u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 2-0. Për këtë arsye trajneri Bulku aktivizoi kryesisht lojtarët që nuk luajtën në Kososë dhe ata që u aktivizuan më pak minuta. Këto ishin dy miqësoret e fundit për 17-vjeçarët para pjesëmarrjes në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian 2022, që luhen në muajt tetor-nëntor në Irlandën e Veriut. Kuqezinjtë janë shortuar në Grupin 12 së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.

Kombëtarja U-17 – Kombëtarja U-18      0:3

Golat: Biba 30’, Hasani 60’, Rrapi 75’

Kombëtarja U-17: Totoshi, Basha, Alite, Marku, Ziu, Ad. Kurti, Ruci, Rama, Reci, Syla, Bode.

Trajner: Ervin Bulku

Kombëtarja U-18: Simoni, Burgaj, Sina, Taleb, Dervishi, Skënderaj, Zengu, Bebeziqi, Hasani, Biba, Toverlani.

Trajner: Ardi Behari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat