Shpresat kuqezi triumfojnë me Andorrën

Futboll

Shpresat kuqezi triumfojnë me Andorrën

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 21:05
Shpresat kuqezi triumfojnë me Andorrën

Kombëtarja shqiptare e 21 vjeçarëve ka fituar me rezultatin 2-0 ndaj Andorrës. Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena”, duke treguar superioritet gjatë të gjithë lojës.

Trajneri Bushi hodhi në fushë këtë formacion: Tafas, Marku, Selmani, Pëllumbi, Ndrecka, Asllani, Karrica, Çelhaka, Dobra, Muçi, Cara.

Pjesa e parë nis rrezikshëm, me Albion Markun, i cili godet fort një top nga krahu i djathtë i portës, por që grushtohet nga portieri kundërshtar. Kuqezinjtë tentojnë sërish, duke krijuar raste, ndërsa rasti më i pastër do të vinte në minutën e 19-të, me Ndreckën që kroson bukur një top për Tedi Carën brenda zonës, i cili e godet me kokë duke e dërguar në duart e portierit.

Pas disa rasteve përpara portës kundërshtare, momenti i golit do të vinte vetëm në minutën e 36-të, me sulmuesin shqiptar Ernest Muçi, i cili shkund rrjetën përmes një goditje dënimi perfekte.
Në avantazh kuqezinjtë, të cilët tentojnë sërish, por pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0.

Me nisjen e fraksionit të dytë të lojës, autori i golit, Ernest Muçi kërkon të dyfishojë rezultatin, sërish përmes një goditje dënimi, por topi nuk përfundon në rrjetë. Në minutën e 56-të, tekniku Bushi vendos të bëjë dy lëvizje, duke nxjerrë nga fusha e lojës Tedi Carën dhe Bernard Karricën e duke u futur në lojë Dijar Nikqi dhe Fatmir Prengaj.

Pak minuta më vonë, mesfushori Dobra fiton një penallti, të cilën vendos ta ekzekutojë Muçi. Portieri mik tregohet i saktë, i cili devijon topin mbi traversë. Në të 80-n minutë, Armando Dobra del nga fusha, duke u zëvendësuar nga Peposhi, i cili luan për rreth 14 minuta lojë. Goli i dytë për kuqezinjtë do të vinte në minutën e parë shtesë të kohës së plotë, sërish me Ernest Muçin që shënon nga goditja e dënimit, duke vulosur kështu rezultatin.

Shqipëria fiton kështu ndeshjen e parë të këtij muaji ndaj Andorrës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023, ndërsa katër ditë më vonë do të luajë kundër Sllovenisë në “Elbasan Arena”. Kombëtarja gjendet në vendin e tretë në grupin G, me gjashtë pikë në tre ndeshje të zhvilluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat