Flasin Hyska dhe Tanushi: Ndaj Uellsit vlen vetëm fitorja

Futboll

Flasin Hyska dhe Tanushi: Ndaj Uellsit vlen vetëm fitorja

Më: 24 tetor 2021 Në ora: 22:19
Flasin Hyska dhe Tanushi: Ndaj Uellsit vlen vetëm fitorja

Shqipëria U-19 për femra ka mbyllur ditën e sotme përgatitjet për ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Uellsit, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2022.

Ekipi Kombëtar zhvilloi seancën e fundit stërvitore për këtë turne në stadiumin e Andorrës, “Estadio Nacional”, nën drejtimin e trajnerit Krepi që e kishte të gjithë skuadrën në dispozicion. Stërvitja zgjati rreth 1 orë, me vajzat që zhvilluan edhe një lojë të shkurtër, ku fokusi kryesor i teknikut kuqezi ka qenë përmirësimi i pjesës ofensive si dhe zhvillimi i ushtrimeve taktiko-teknike.

Në prag të ndeshjes që do të zhvillohet ditën e nesërme duke nisur nga ora 15:00, ku vajzat kuqezi do të kërkojnë të marrin tre pikët e radhës dhe të kualifikohen në Ligën A, kanë folur për fshf.org dy futbollistet e ekipit, Antigoni Hyska dhe Matilda Tanushi.

Hyska, e cila mban edhe shiritin e kapitenes për nën 19 vjeçaret u shpreh se atmosfera e ekipit para ndeshjes me Uellsin është mjaft e mirë dhe vajzat do të luftojnë për të marrë tre pikët ditën e nesërme, që do ta ngjisnin Shqipërinë në Ligën A. “Jemi një grup i plotësuar.

Kemi ardhur nga një fitore si dhe një barazim. Kemi marrë tre pikë me Andorrën dhe një barazim me Moldavinë, me të cilën dhamë maksimumin, por mbase nuk ishte edhe fati me ne. Do përpiqemi që ta fitojmë ndeshjen me Uellsin. Objektivi ynë? 

Objektivi kryesor i ndeshjes nesër është që të fitojmë dhe të ngjitemi në Ligën A, pasi ky është objektivi më i madh yni, që të jemi në skuadrat më të forta dhe besoj se do ta arrijmë këtë gjë pasi jemi një grup i mirë dhe kemi një atmosferë të mirë në skuadër. Uellsin e kemi parë në të dyja ndeshjet dhe është një kundërshtar i fortë, por besoj se ne do ta mundim– u shpreh Hyska.

Ndërkaq, për fshf.org foli edhe autorja e golit ndaj Andorrës, Matilda Tanushi, e cila tha se objektivi i vetëm i ndeshjes kundër Uellsit është fitorja, si dhe u shpreh e lumtur që i dha tre pikëshin ekipit me golin që shënoi në minutën e 90-të ndaj Andorrës.

 “Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Jemi shumë të lidhura me gocat. Vijmë pas dy ndeshjeve ku jemi paraqitur mirë, pas një barazimi me Moldavinë, ku kishim mundësi ta fitonim, por e kompensuam në ndeshjen me Andorrën, edhe pse goli erdhi në minutën e 90-të, ne e fituam atë ndeshje.

Nesër kemi ndeshjen e radhës me Uellsin dhe duam të fitojmë, ky është synimi ynë për nesër. Do luftojmë vetëm për tre pikëshin. E lumtur për golin? – Shumë e emocionuar, sepse ishte goli që i dha tre pikët ekipit, një fitore që na nevojitej dhe jam shumë e lumtur që u bë në minutën e 90-të”– tha Tanushi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat