Daja: Alban Hoxha ka frakturë në gishtin e dorës

Futboll

Daja: Alban Hoxha ka frakturë në gishtin e dorës

Më: 7 nëntor 2021 Në ora: 17:06
Daja: Alban Hoxha ka frakturë në gishtin e dorës

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, e ka cilësuar të rëndësishme më shumë se çdo gjë faktin që skuadra e tij mori tre pikët që shërbejnë për renditjen dhe për të dalë nga ngërçi psikologjik.

Në “SuperSport” ai shpjegoi se edhe ndalesa e kampionatit do të ndihmonte të kuqtë të ktheheshin me një fytyrë tjetër në ndeshjet e radhës.

“Sigurisht që sot vlejti marrja e tre pikëve. Kemi biseduar gjithë javën me lojtarët dhe të gjithë bashkë kemi thënë që e kemi çuar veten në këtë krizë dhe kemi menduar të mos ia delegojmë asnjërit përgjegjësinë dhe ta marrim bashkë.

Të gjithë bashkë ta kalonim dhe fitoja shkon për to, ishte fitore e vështirë ndaj Kastriotit se është ekip që është i vështirë për t’i shënuar gol se mbrohen mirë dhe mendoj se kjo do shërbejë si pikë kthese nëse do të kemi vazhdimësinë. Na jep kohë ndërprerja e kampionatit për shkak të ekipit kombëtar, na jep kohë se lojtarët vijnë pas dëmtimeve. do të veçoja Kaçen apo Carën që vijnë nga dëmtimet.

Mundet të kemi grupin më të plotësuar në vazhdim dhe ndoshta kjo do të jetë pikë kthese në aspektin psikologjik. E kemi pritur këtë fitore edhe më parë, por për rrethanat që kemi kaluar ka qenë e pamundur që ta arrinim, por më e mira ishte arritja e trepikëshit sot.

Ajo që ishte sot primare nuk ka qenë varianti taktik apo manovra, por dëshira dhe sakrifica e lojtarëve për të fituar këtë ndeshje se në çdo moment nuk janë tërhequr në kuptimin e dyluftimeve. Përtej lojtarëve shkon edhe te tifozët se ishin të pranishëm të shumtë dhe të gjithë bashkë besojmë se dalim nga ky moment jo për ne për të vazhduar pastaj përpara në vazhdimësi për fitore të tjera.

Bashkë me ne, edhe lojtarët, kemi vuajtur këtë mungesë rezultatesh, po të shihje lojtarët në fushë dhe pjesa e stolit ishin në maksimumin e tyre për të shkuar te kjo fitore dhe pas mbarimit të ndeshjes ishte çlirim. I lashë lojtarët edhe një ditë më shumë pushim për të filluar stërvitjet intensive të mërkurën, ky lloj çlirimi pas tre pikësh do të bënte mirë edhe për rikuperim mental të lojtarëve.

Kemi marrë përgjegjësinë për këto lloj rezultatesh, kemi prodhuar lojë e kemi pasur situata për të fituar, kemi marrë përgjegjësi dhe të gjithë bashkë u munduam ta kalojmë. Sot ndaj thashë që aspekti i manovrës kaloi në plan të dytë, ishte sakrifica e dëshira e lojtarëve për të rikuperuar atë që nuk kishim bërë, për të shkuar te fitoja. Kur nuk ke këtë presion është e lehtë që gjërat në klasifikim të ndryshojnë se ajo që do ta ndryshonte ishte fryma e grupit dhe shpirti i skuadrës.

Alban Hoxha ka frakturë në gishtin e dorës, stërvitet me grupin përveç anës teknike se nuk mund të përdorë duart dhe mundohet që me Ilirin Bozhiqin të mos humbë gjendjen fizike për atë që i duhet dhe do presim vendimin e stafit mjekësor në mënyrë që ta kemi të gatshëm. Por një meritë ka edhe Teqja se e ka mbajtur portën me 0 gola bashkë me fazën e mbrojtjes, ne të na kthehet Albani por vlen të përshëndetet edhe Teqja për lojërat e mira që ka bërë”, tha Daja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat