Itali-Zvicër, miku i Igli Tares provokon axurrët

Futboll

Itali-Zvicër, miku i Igli Tares provokon axurrët

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 11:54
Itali-Zvicër, miku i Igli Tares provokon axurrët

Ai nuk ëndërronte gjatë verës të eliminonte Italinë nga Kupa e Botës. Tani e beson këtë. “Zvicra është kombëtare e madhe, e uritur, plot cilësi. Ne mund t’ju eliminojmë, siç bëri Suedia më 2017”. Kampionë të Europës në fuqi, kujdes nga Murat Yakin, mendjemprehti 47-vjeçar, zviceran me origjinë turke, i dallueshëm që nga tiparet e fytyrës. Deri në ditët e para të gushtit ka qenë në “profesion të lirë” afër Bazelit.

Ai stërviste dhe menaxhonte vëllain e tij, Hakan, një tjetër ish-futbollist, që luan në klubin e “Challenge League”, Schaffhausen. Më pas u thirr për të zëvendësuar Vladimir Petkovic, i cili dha dorëheqjen nga kombëtarja helvete një muaj pas “Euro 2020”. Ai ka kontratë deri në fund të raundit kualifikues, me mundësi vazhdimi të saj. Murat Yakin nuk priste asgjë tjetër. Dikur ishte shtyllë e mbrojtjes, kur luajti për Zvicrën (49 ndeshje).

Ish-trajneri i Baselit (dy tituj në Zvicër dhe çerekfinalist i Ligës së Europës), i Lucernit dhe Spartak Moskës e ka kompaktësuar dhe normalizuar “Natin”, duke qenë më i vëmendshëm se paraardhësi. Dy barazime (në Belfast dhe me Italinë) në shtator, pastaj mundi Irlandën e Veriut në shtëpi, fitore e bollshme ndaj Lituanisë janë “paja” e tij si trajner i kombëtares helvete. Kësisoji, iu bashkua kreut të grupit kualifikues me axurrët e Mancinit, por me golaverazh paska më të keq (minus 2).

Miku i Igli Tares (kanë luajtur bashkë te Kaiserslautern) nuk e ka humbur besimin. Në të vërtetë, entuziasmi u rrit pas lëndimeve të Verratti, Immobile dhe Chiellini. “Ne duam të kualifikohemi në Botërorin e Katarit pa kaluar përmes ‘play off’. Kjo është arsyeja pse kemi ardhur në Romë, për të fituar. A është kjo e mundur? Sigurisht, Italia shihet si favorite. Edhe Suedia ishte gjithashtu një autsajder në ‘play-off’ për Kupën e Botës 2018, por i eliminoi axurrët”.

Ai është motivues i madh, nuk ka frikë. Të gjithë në Zvicër mendojnë se do të luajë për dy rezultate. Dje e përjashtoi këtë. Shumë ose pothuajse gjithçka do të vendoset nesër në mbrëmje. “Është një llogari e thjeshtë. Kushdo që fiton të dyja ndeshjet e fundit në grup do të shkojë në Kupën e Botës”, – tha Murat Yakin. Kjo është arsyeja pse vetëm fitorja ka rëndësi edhe për Italinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat