Mbushet mend Milani, kontrata milionëshe për tre futbollistë

Futboll

Mbushet mend Milani, kontrata milionëshe për tre futbollistë

Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 13:55
Mbushet mend Milani, kontrata milionëshe për tre futbollistë

Pasi humbi me parametra zero dy titullarë si Donnarumma dhe Calhanoglu, Milani rrezikon të shohë të përsëritur të njëjtën situatë me mesfushorin Franck Kessie dhe kapitenin Alessio Romagnoli, të cilëve u përfundon kontrata në fund të sezonit dhe nuk kanë rinovuar ende.

E pikërisht për këtë arsye, duket se dyshja Maldini-Massara “kanë vënë mend” dhe kanë nisur menjëherë nga puna për të blinduar disa lojtarë të tjerë, të cilët kanë kontratë me klubin deri në verën e 2024-ës, por që po tërheqin vëmendjen me paraqitjen e tyre.

Kështu plani i drejtuesve kuqezi është që emra si Theo Hernandez, Ismael Bennacer e Rafael Leao të rinovojnë brenda këtij sezoni kontratën, në mënyrë që të shmanget shkuarja drejt vitit të fundit dhe më keq akoma largimi me parametra zero.

Të tre lojtarët kanë një pagë rreth 1.4-1.5 milionë euro, por te Milani janë gati të shtojnë shpenzimet deri në 80 milionë euro në total, në mënyrë që t’u dyfishojnë apo trefishojnë pagat këtyre futbollistëve.

Si Theo Hernandez, ashtu edhe Ismael Bennacer kanë shumë kërkesa në treg, për shkak të paraqitjeve të mira në dy vitet e fundit, ndërsa këtë sezon po dëshmon një formë mjaft të mirë edhe sulmuesi portugez Rafael Leao.

Kujtojmë që më herët drejtuesit e Milanit rinovuan kontratat me Simon Kjaer dhe belgun Saelemaekers, ndërsa brenda dhjetorit do të firmosë zgjatjen e bashkëpunimit edhe trajneri Stefano Pioli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat