Ibrahimoviç në ‘klubin 300’ me Messin dhe CR7, gati rinovimi me Milanin

Futboll

Ibrahimoviç në ‘klubin 300’ me Messin dhe CR7, gati rinovimi me Milanin

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 15:45
Ibrahimoviç

Ndoshta e ka nga stadiumi, mbase ngjyrat, por kur Ibra sheh bardhezi çmendet. Klasin e tij e tregoi edhe me golin e fundit akrobatik ndaj Udinese, në ndeshjen e fundit të Serie A.

Suedezi shpëton Milanin nga humbja dhe e bën këtë në mënyrën e tij, krejt papritur, në të vetmen gjuajtje të kuqezinjve në portën kundërshtare gjatë 90 minutave.

Një pikë e vogël që i shërben më shumë moralit sesa renditjes. Nuk e shpagon eliminimin nga Champions League, si dhe nuk shton asgjë në luftën e titullit, përkundrazi, gëzon Interin, i cili tashmë përmbushi ëndrrën e parakalimit të madh. Për këtë mjaftoi fitorja ndaj Cagliarit.

Buzëqesh vetëm Zlatan, i cili i është bashkuar “klubit 300”, me futbollistë të shquar, që kanë shënuar të paktën 300 gola në 5 ligat kryesore nga viti 2000 e deri më sot. Përballë tij vetëm Messi dhe Cristiano Ronaldo, përkatësisht me 475 dhe 483 gola.

Më pas Zlatan, i cili me perlën ndaj Udinese, i katërti në 14 ndeshje ndaj këtij kundërshtari nga viti 2005 deri më sot, ka regjistruar 7 “viktima” në Serie A në vetëm 10 ndeshje, këtë sezon. Deri më tani ka tronditur rrjetat e Lazio, Bologna, Roma, Fiorentina (dopio) dhe Genoa.

Një gol çdo 88 minuta. Jo keq për një 40-vjeçar që “ndjen dhimbje pas çdo loje” dhe që ndiqet 24 orë në ditë nga një trajner për të menaxhuar trupin e tij. Megjithatë, mendërisht, ai ende ndihet si 20-vjeçar.

Ditët e fundit ishte i qartë: “Do të bëj gjithçka për të fituar titullin me Milanin”. Dhe në fakt e tregoi klasin edhe një here me goditjen akrobatike. Nuk ishte si goditja nga larg kundër Anglisë, nuk ishte si thembra që na mrekulloi në “Euro 2004”, megjithatë Ibra nuk pushon së mahnituri. Pavarësisht moshës 40-vjeçare dhe pavarësisht dhimbjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat