Duka pas shortit të Shqipërisë në Ligën e Kombeve: Skuadra me të cilat mund të bëjmë rezultat pozitiv

Futboll

Duka pas shortit të Shqipërisë në Ligën e Kombeve: Skuadra me të cilat mund të bëjmë rezultat pozitiv

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 19:51
Armando Duka

Në Nyon të Zvicrës sot u mbajt shorti i Ligës së Kombeve, nga i cili Kombëtarja e Shqipërisë ka mësuar kundërshtarët e saj dhe grupin në të cilin gjendet.

Në bazë të shortit, Shqipëria u pozicionua në Grupin 2 të Ligës B, së bashku me kombëtaret e tjera si ajo e Rusisë, Izraelit dhe Islandës.

Rreth këtij shorti ka reaguar tani presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) Armando Duka, i cili e cilësoi si short pozitiv, ku mund të ketë rezultate pozitive kundër kombëtareve kundërshtare.

“Shorti mund të them që ishte i kënaqshëm, nuk u tregua negativ me ekipin tonë. Mendoj që nga skuadrat që kishim në Grupin B, pak a shumë të dëshiruara, skuadra me të cilat mund të bëjmë rezultat pozitiv dhe kemi bërë rezultat pozitiv në të shkuarën”, tha Duka.

Presidenti i FSHF-së Duka po ashtu tregoi edhe pikën e dobët të këtij shorti, ku tha që distanca e largët mes kombëtareve mund të ndikojë negativisht.

“E vetmja e keqe që e ka shorti është sepse janë vende në distancë gjeografike të largët, duke pasur parasysh që luajmë në katër ndeshje në qershor me diferencë vetëm tre ditë nga njëra-tjetra. Mbetet vetëm që gjërat t’i bësh në fushë dhe jo në letër”, tha Duka.

Po ashtu, në fund presidenti Duka shtoi që shkaku i ndeshjeve të shumta që do t’i ketë Kombëtarja e Shqipërisë në vitin 2022 në këtë garë, duhet të ftohen të paktën edhe tre futbollistë të rinj nga grupmoshat U21.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat