Xhelal Morina dhe ndeshja e famshme që nuk harrohet e vitit 1983 në Prishtinë!

Futboll

Xhelal Morina dhe ndeshja e famshme që nuk harrohet e vitit 1983 në Prishtinë!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 janar 2022 Në ora: 18:57
Xhelal Morina është në mes

Futbolli i Kosovës ka një histori interesante në periudha të ndryshme! Kush ishte futbollisti Xhelal Morina? Ai ka qenë prej mbrojtësve më të mirë që ka pasur Kosova në vitet e 80-ta, i cili ka luajtur për Flamurtarin e Prishtinës dhe KNI Ramiz Sadikun e Prishtinës.

Morina ka ndërruar jetë papritur (infarkt) në vitin 1996.  Një futbollist që nuk e kishte shoqin, tregonte angazhim të madh dhe kudo që luante ka qenë shtyllë e fuqishme e mbrojtjes. 

Morina ka qenë standard në radhët e Flamurtarit, në qershorin e vitit 1983,  në ndeshjen e famshme, që tuboi mbi dhjetë mijë shikues në stadiumin e Prishtinës (sot stadiumi “Fadil Vokrri”).

Image

Në këmbë nga e majta: Nuredin Sopi, Sokol Haziri, Gani Havolli, Vehap Mujku, Xhelal Morina, Skender Berisha.
ulur nga e majta: Sylejman Havolli, Enver Govori, Abdyl Bellopoja, Agim Hoxha, Naser Hyseni.

Po kush nuk e mban mend atë ndeshje nga gjeneratat e vjetra, e cila ka qenë finale e javës së 34-të (me 18 qershor të vitit 1983), siç quhej atëkohë Liga e Parë Krahinore e Kosovës, mes dy skuadrave nga kryeqyteti, Flamurtari - Ramiz Sadiku. Një luftë e madhe në fushë, një ndeshje që vendoste kampionin e ligës.

Po cilat ishin emocionet e kësaj ndeshje? KNI Ramiz Sadikut i mjaftonte barazimi të ngjitej në Ligën e Dytë të ish Jugosllavisë, Grupi i Lindjes, ndërsa Flamurtarit vetëm fitorja i kryente punë! Ndeshje me emocione, një Flamurtar me fanella kuqezi, që atëkohë nuk shikohej me sy të mirë nga regjimi ish jugosllav, jo vetëm për nga fanella por edhe nga emri që tingëllonte. Flamurtari e kishte trajner Halil Sadikun.

Image

KNI Ramiz Sadiku, 1984 - 1985 Nga e majta në këmbë: Fadil Berisha, Nexhat Zhubi, Arsim Gashi, Vehap Mujku, Xhelal Morina, Kelmend Muhaxheri, Luan Prekazi-trajner. Ulur nga e majta: Bylbyl Sokoli, Sunaj Keçi, Skender Berisha, Nysret Loxha, Tajar Hoxha.

Ndeshja kishte përfunduar baras (0:0), KNI Ramiz Sadiku (trajner e ka pasur famëkeqin Misha Albijaniq) bëhet kampion me 51 pikë, duke lënë pas Flamurtarin me 50 sosh përkatësisht në vend të dytë.

Morina titullar,  me shokë u angazhuan deri në pikën e fundit, por që nuk arritën fitoren, nuk e arritën qëllimin, por mbi të gjitha në stadium ka qenë festë futbolli.

KNI Ramiz Sadiku ngritët në ligën e dytë ish jugosllave në edicionin 1983-1984, ndërsa Prishtina bëhet anëtare e elitës ish jugosllave. 

Një vit interesant për klubet nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina në elitë, KNI Ramiz Sadiku në ligën e dytë, Flamurtari për një fije të flokut nuk e realizoi qëllimin. Vit i artë për futbollin e kryeqytetit.

Emra të njohur luanin në KNI Rami Sadiku, si Bylbyl Sokoli, portieri Xhemajl Zeqiri, Shefqet Lajçi, Dukagjin Limani, Kelmend Muhaxheri etj. në radhët e Flamurtarit, Abdyl Bellopoja, Vehap Mujku, Sylejman Havolli, Skënder Berisha, Naser Hyseni etj.

“Ndeshja Flamurtari- Ramiz Sadikun u zhvillu me 18. 06 1983.

Ishte e pamundur me fituar këtë ndeshje, gola të rregullta të anuluara, referët ishin caktuar me detyra të qarta: Flamurtari mos me hy në ligën e dytë federative, emri i klubit, ngjyrat e fanellave kuq e zi, formacioni krejt shqiptar etj.”, kështu ka komentuar Abdyl Bellopoja para pak ditëve.

Java e 34-të ( e fundit), me 18 qershor të vitit 1983, Flamurtari – Ramiz Sadiku 0:0

Stadiumi i Prishtinës.

Shikues: 10.000.

Gjyqtar: B. Muqolli.

Flamurtari: Haziri, G. Havolli, Sopi, Mujku, Morina, Berisha, S. Havolli (Sefedini), Govori (Osmani), Bellopoja, Hoxha dhe Hyseni.
KNI Ramiz Sadiku: Zeqiri, Jovanoviq, Marinkoviq, Trajkoviq, Tokiq, Muhaxheri, Mlladenoviq, Limani (Sokoli), Lajçi, Loxha dhe Zhivkoviq (Hoxha).  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat