KOK-u këmbëngul se FFK-ja nuk dëshmoi se ka strategji, FFK insiston se ka plan

Futboll

KOK-u këmbëngul se FFK-ja nuk dëshmoi se ka strategji, FFK insiston se ka plan

Më: 31 janar 2022 Në ora: 13:04
Foto ilustrim

Komiteti Olimpik i Kosovës e ka zbritur Federatën e Futbollit nga vendi i dytë në pozitën e gjashtë në kategorizimin e ri. Institucioni më i lartë sportiv në vend insiston se FFK-ja nuk ka dëshmuar në Komisionin e Kategorizimit se ka plan strategjik, ndonëse shtëpia e futbollit në vazhdimësi thirret në strategji. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, insiston se shtëpia e futbollit kosovar ka strategji me UEFA-n e FIFA-n dhe e ka ironizuar institucionin kryesor të sportit në Kosovë.   

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e ka dhënë një arsyetim, sipas së cilit, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka rënë për katër pozita në kategorizimin e ri e sporteve të Kosovës.

Institucioni më i lartë sportiv në vend e ka kategorizuar Federatën e Xhudos në vendin e parë, ndërsa Federatën e Volejbollit të dytën, Federatën e Hendbollit të tretën dhe Federatën e Basketbollit të katërtën. Kurse, Federata e Futbollit e Kosovës nga vendi i dytë tani në kategorizimin e ri ka rënë në vendin e pestë.

Derisa FFK është shpreh të jetë befasuar me këtë kategorizim të KOK-ut, madje duke ironizuar me institucionin më të lartë sportiv, për të cilin tha se duhet të jetë i nderuar që e ka FFK-në anëtare, në KOK thonë se kategorizimi është i drejt dhe profesional, pavarësisht që mund të mos i pëlqejë FFK-së.

Edhe pse FFK gjithnjë ka thënë se ka strategji të saj për të ardhmen e mirë të futbollit kosovar, KOK-u insiston se shtëpia e futbollit nuk e ka një plan strategjik, pasi nuk e ka dëshmuar në KOK se e ka një plan të tillë, që i është kërkuar për kategorizim, siç parasheh rregullorja.

“Futbolli ka 2.5 pikë më pak sesa viteve të kaluara. Ato pikë i ka më pak për shkak se nuk ka arritur të dëshmojë nëse FFK e ka një plan strategjik që kërkohet në rregullore, e cila në këtë rast ka sjell dy pikë më pak për futbollin. Këtu ka qenë problemi. FFK ka rënë në vendin e gjashtë edhe për shkak se ka pasur një rritje në masivitet volejbolli, hendbolli dhe basketbolli”, ka deklaruar për Gazetën Express Kushtrim Krasniqi, zëdhënësi i KOK-ut.

“Futbolli ka pasur suksese me klube dhe kombëtaret U-17 me meshkuj dhe femra, por rregullorja e penalizon në këto kritere. FFK është njëra nga federatat që penalizohet më së shumti nga rregullorja, e cila duhet të pësojë ndryshime”, shtoi ai.

Ndërkohë, kryetari i FFK-së, Agim Ademi mbrëmë ka reaguar ndaj kategorizimit të FFK-së, e cila ka zbritur në vendin e gjashtë nga pozita e dytë.

“Është nder për çdo Komitet Olimpik ta ketë Federatën e Futbollit pjesë të saj. Futbolli gjithkund në botë është industri. Në Kosovë rreth 30 mijë njerëz janë pjesë e futbollit. Në botë futbolli është sporti numër 1 dhe nëse e shohim në këtë aspekt ai kategorizim nuk është i mirë. FFK e ka moti strategjinë me UEFA-n me FIFA-n, por ndoshta është bërë ndonjë gabim. Unë mendoj se xhudo me mirëkuptimin e të gjithëve duhet të jetë jashtë konkurrimit, sepse është sport që na ka bërë krenar. Sidoqoftë, nëse futbolli është i parëndësishëm për KOK-un, atëherë tërhiqemi, por nëse është i rëndësishëm duhet të jemi aty ku e kemi vendin”, ka thënë në ATV presidenti i FFK-së.

Por, në KOK insistojnë se rezultatin FFK-së ia ka dhënë rregullorja. “Komisioni për kategorizimin e sporteve ka bërë punë shumë të mirë në një proces të mundimshëm kur duhet shqyrtohet dokumentacioni i 40 federatave sportive dhe 30-40 sportistëve e trajnerëve. Edhe pse kritikat nuk ndalen, konsiderojmë se ky komisioni ka bërë punë të mirë, për të pestin vit me radhë. Gjithmonë ka pasur ankesa dhe ka vend për ankesa edhe tash. Ankesat vijnë si rezultat i penalizimeve që vijnë nga rregullorja, e cila penalizon ndonjë federatë siç ndodhi tash me FFK-në, e cila kësaj here u radhitë e gjashta”, thotë zëdhënësi i KOK-ut.

Kategorizimi ka rëndësi mjaft të madhe pasi është përcaktues në ndarjen e buxhetit të shtetit për federatat sportive. Sa më lart në renditje, të hyrat financiare nga shteti janë më të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat