Guardiola: Nuk jemi ne ekipi më i fortë në botë

Futboll

Guardiola: Nuk jemi ne ekipi më i fortë në botë

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 11:25
Guardiola: Nuk jemi ne ekipi më i fortë në botë

Ai e di më mirë se kushdo se çfarë skuadre ka në duar, por Pep Guardiola refuzon ta quajë Mançester Sitin ekipin më të mirë në botë. “Qytetarët” vazhdojnë të marshojnë në Premier Ligë teksa të mërkurën në mbrëmje kanë mundur Brentfordin 2-0 duke mbajtur një ritëm gati të pamundur për t’u ndjekur nga rivalët.

E, megjithatë trajneri Guardiola ka zgjedhur të mbajë skuadrën me këmbë në tokë. Tekniku spanjoll dëshiron të ruajë një profil të ulët për Sitin, duke kaluar presionin mbi rivalët e tij në Premier dhe në Champions.

Për 51-vjeçarin, skuadra më e mirë në botë është Çelsi i Tomas Tuhelit, pavarësisht se kampionët e Europës në fuqi janë 13 pikë larg Sitit. “Ne nuk jemi skuadra më e mirë në botë”, ka thënë ai pas suksesit ndaj Brentfordit.

Përgjigjja e tij ka habitur gazetarët, që i kanë kërkuar më shumë shpjegime në lidhje me këtë deklaratë.

“Arsyeja është e thjeshtë – ka shtuar Guardiola – Sepse skuadra më e mirë në botë është Çelsi. Ata kanë fituar Ligën e Kampioneve. Madje, do të thosha se dhe River Plejti është më i fortë se Siti, pasi janë kampionë të Amerikës së Jugut. Mendoj se nuk ia vlen të diskutohet kush është më i miri apo më e mira.”

“Për mua ka rëndësi që skuadra fiton dhe tani të përgatitemi për takimin e radhës kundër Noruiçit. Ndaj, se cili është më i miri apo më i keqi nuk më intereson aspak. Ajo që dua nga skuadra ime është të argëtohet në fushë dhe të përpiqet të luajë sa më mirë dhe në fund të sezonit do të shohim se çfarë kemi arritur.”

“Kampionati është shumë i gjatë, mungojnë dhe 14 ndeshje. Unë jam i kënaqur me atë çfarë ka bërë skuadra deri më tani”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat