​Trajneri dhe lojtarët e Malishevës të bindur për mbetjen në Superligë, paralajmërojnë Ulpianën

Futboll

​Trajneri dhe lojtarët e Malishevës të bindur për mbetjen në Superligë, paralajmërojnë Ulpianën

Më: 19 shkurt 2022 Në ora: 11:58
Fot ilustrim "Bota sot"

Fitorja ndaj Prishtinës në ndeshjen e parë të sezonit pranveror ka shtuar apetitet dhe entuziazmin të skuadra e Malishevës.

Skuadra e trajnerit Arsim Thaçi triumfoi ndaj kampionit aktual të Kosovës me rezultat 2-1 dhe një sukses i tillë ka bërë që motivi brenda kësaj skuadra të rritet edhe më shumë. 

Vet Thaçi e pranon se ajo fitore dëshmoi se gjendja fizike dhe psiqike e lojtarëve është në nivelin e duhur dhe se me një qasje të tillë skuadra mund ta sigurojë mbetjen në Superligë, arritje kjo që sipas tij do të ishte historike për këtë klub.

Thaçi: Mbetja në Superligë do të ishte historike për Malishevën

“Me vet faktin që e kemi fituar ndeshjen e parë kundër kampionit aktual, atëherë normal që gjendja e lojtarëve është shumë e mirë, sidomos motivi tash pas kësaj fitore normal që është në rritje e sipër kështu që presim tani ndeshjet tjera me radhë. Shpresojmë që të kemi fatin e njëjtë si ndeshjen me Prishtinën që gjërat të shkojnë ashtu siç i kemi planifikuar dhe normalisht që do të ishte historike që këtë vit Malisheva të jetë të paktën edhe vitin e ardhshëm të jetë pjesë e Superligës së Futbollit të Kosovës”, tha Thaçi.

Më tej Thaçi thotë për KosovaPress se ardhja e Fidan Gërbeshit, Xhevdet Shabanit, Behar Maliqit dhe Labinot Ibrahimit gjatë afatit kalimtar të janarit ka rritur përvojën brenda KF Malishevës dhe tani po synohet që të arrihet një rezultat pozitiv edhe në sfidën direktë për mbijetesë, atë kundër Ulpianë në këtë vikend. 

Thaçi: Fitorja ndaj Ulpianë do të na ofronte komoditet për vazhdimin e kampionatit

“Pas ndeshjes me Prishtinën përgatitjet fillojnë për ndeshjen e ardhshme, Ndeshja e ardhshme është kundër një rivali direkt që e kemi për mbetje në elitën e futbollit të Kosovës, është Ulpiana, një ekip që e vlerësojmë shumë, ka lojtarë cilësorë në mesin e skuadrës siç është Santos, njëri prej qendërsulmuesve që e vlerësoj shumë edhe kuptohet që e kemi rival direkt. Jemi duke u përgatitur, të paktën ato dobësitë që janë shfaqur në ekipin tonë në ndeshjen ndaj Prishtinë të mos shfaqën ndaj Ulpianës dhe një fitore kundër Ulpianës do të na jepte një komoditet për vazhdimin e kampionatit”.

Fitoren ndaj Prishtinës nuk e ka shijuar edhe aq shumë mesfushori Mërgim Pefqeli. Ai ishte pjesë e kampionit aktual para se t’i bashkohej Malishevës dhe në momentin e realizimit të golit nuk festoi. Kjo për shkak se, siç thotë ai, Prishtina është skuadra që mbetet në zemrën e tij.

Pefqeli: Prishtina është klubi i zemrës sime

“Kjo fitore ndaj Prishtinës ka qenë shumë e rëndësishme mbase ekipet tjera që jemi në të njëjtin nivel, në fundin e tabelës kanë humbur, kjo është përparësi për ne që të mundemi sa më shpejtë të ikim nga fundi i tabelës...Normal ndjenja është e mirë që të arrij fitore për Malishevë, por për mua është ndjenjë e keqe sepse unë kam lindur dhe jam rritur në atë klub dhe ndjenjë e keqe sepse kam dëshirë që të luajë në atë klub dhe e kam në zemër atë klub”, tha Pefqeli.

Nga ana tjetër, njëra na ofrimet më të rëndësishme gjatë afatit kalimtar të janarit te Malisheva, Behar Maliqi, për KosovaPress thotë se është i bindur që me fondin e lojtarëve që i ka në dispozicion, Malisheva do të arrij që ta sigurojë qëndrimin në Superligën e Kosovës. 

Maliqi: Malisheva do të mbetet në Superligë

“Ndeshja e ardhshme kundër Ulpianës, do të mundohemi që ta respektojmë maksimalisht Ulpianën, por qëllimet tona dihet që nga ndeshja në ndeshje të arrijmë rezultatet maksimale dhe ta sigurojmë ekzistencën sa më herët që është e mundur...Duke parë fondin e lojtarëve momentalisht që është besoj që do ta sigurojmë ekzistencën në Superligën e Kosovës”, theksoi Maliqi.

Pas 19 xhirove të zhvilluara, Malisheva ka mbledhur 22 pikë dhe renditet në vendin e shtatë në tabelën e Superligës së Kosovës, vetëm tri pikë larg zonës së rrezikshme për rënie nga kategoria elitare e futbollit kosovar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat