Batatina para ndeshjes me Malishevën: Jemi të fokusuar të shënojmë gola të gjithë

Futboll

Batatina para ndeshjes me Malishevën: Jemi të fokusuar të shënojmë gola të gjithë

Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 17:51
Batatina para ndeshjes me Malishevën: Jemi të fokusuar të shënojmë gola të gjithë

Kryetrajneri i skuadrës së Llapit nga Pdoujeva, Tahir Batatina dhe futbollisti Alban Shillova janë prononcuar për media një ditë para ndeshjes kampionale të vlefshme për javën e 22-të ndaj FC Malisheva.

“Mendoj që edhe ndeshja e nesërme është si çdo ndeshje tjetër, e dimë që kemi rezultate pozitive në vazhdimësi si skuadër, por duhet të jemi të vëmendshëm sepse kemi përball vetes një skuadër si Malisheva me futbollistë shumë cilësor që kanë fituar trofe.

Skuadra e Malishevës duhet vlerësuar lartë por besoj në skuadrën dhe në punën që kemi bërë gjatë këtyre ditëve që kishim pas ndeshjes me Feronikelin. Mendoj që kemi marrë të gjitha masat që të paraqitemi nesër sa më mirë”, tha Batatina.

“Ka qenë një javë e ngarkuar por e dimë që Llapi brenda skuadrës ka dy ekipe. Këtë gjë e kam potencuar shumë herë. Jam munduar ta menaxhoj mirë situatën brenda grupit që në momente të caktuara të funksionojmë dhe t'i ruaj lojtarët për ndeshje me skuadra më të forta.

E dimë që gjithë lojtarët i kemi cilësor dhe diferenca në cilësi mes tyre është shumë e vogël. Ndaj Feronikelit kemi pasur në lojë futbollistë që kanë pasur më pak minutazhë dhe për atë iu kemi dhënë hapësirë. Situatën e kemi menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme që në ndeshjen e radhës të jemi të gatshëm dhe të kemi freskinë e duhur duke ditur se na pret një ndeshje shumë e vështirë.

Sulmuesi Latif Amadu ka ardhur në skuadër me plotë konkurrencë dhe tek ne ka gjetur edhe 3 sulmues tjerë. Dy prej tyre janë më të rinj kurse Shillova me eksperiencë. Presim që ai të ndihmoj për faktin se ne 'luftojmë' për kreun e tabelës dhe kemi ndeshje të shumta brenda javës, dëmtime eventuale apo kartonë. Më gëzon fakti që tek Llapi të gjithë bëjnë gola. Ne punojmë për ekipin dhe jo individin gjë që jemi edhe në këtë pozitë. Jemi të fokusuar të shënojmë gola të gjithë, të mbrohemi mirë dhe të luajmë mirë taktikisht”, ka thënë Batatina.

Ndeshja Llapi – Malisheva zhvillohet nesër nga ora 13:00 në stadiumi "Zahir Pajaziti" dhe mungesa e vetme nga ky takim do të jetë kapiteni Bujar Idrizi i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Kurse nga suspendimi me kartonë rikthehen mbrojtësi Elvis Prençi dhe mesfushorët Arbnor Ramadani e Ilir Krasniqi kurse nga një dëmtim i vogël, rikthehet edhe mbrojtësi i majtë Ardit Peposhi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat