Trajneri portugez rrëfen tmerrin e përjetuar në Ukrainë

Futboll

Trajneri portugez rrëfen tmerrin e përjetuar në Ukrainë

Më: 1 mars 2022 Në ora: 12:37
Trajneri portugez rrëfen tmerrin e përjetuar në Ukrainë

Paulo Fonseca është larguar i sigurt nga Ukraina për t’u rikthyer në Portugali.

Mirëpo, trajneri portugez ka rrëfyer për tmerrin që e përjetoi gjatë javës që shkoi në vendin që është në luftë me Rusinë.

Fonseca dhe gruaja e tij ukrainase, Ekaterina, e kishin në plan të largoheshin nga Kievi në mëngjesin e së enjtes, por janë befasuar pak orë para sulmit të rusëve.

Ish-trajneri i Romës dhe Shakhtar Donetskut megjithatë ia doli të largohej disi nga Ukraina për të përfunduar në Lisbonë, pas disa ditësh të kaluar nën bombardime.

“Mendonim të largoheshim të enjten në mëngjes, por jemi befasuar nga bombat që binin afër nesh”, ka shpjeguar trajneri portugez në një konferencë për shtyp të mbajtur në aeroportin e kryeqytetit luzitan.

“E kishim në program të zbarkonim në Zvicër në aeroport në orën 10 paradite të së enjtes, por në orën 4 të mëngjesit i kemi dëgjuar bombat duke rënë në Kiev. Ishte momenti më i vështirë, na kaploi paniku. I kemi marrë gjërat tona dhe kemi dalë në rrugë. Dëshironim të largoheshim nga Kievi në atë moment, por kishte shumë trafik në rrugën kryesore”, rrëfen ai tutje.

“Prej aty, kemi shkuar në hotelin e presidentit të Shakhtar Donetskut, së bashku me stafin dhe me lojtarët e klubit. Ndiheshim shumë të frikësuar nga bombat që binin afër nesh. Nuk kishim asnjë dyshim se lufta kishte filluar”, nënvizoi ish-futbollisti portugez.

“Udhëtimi ishte i vështirë, kemi kaluar nëpër kolonat militare, jemi ndalur një apo dy herë dhe i kemi dëgjuar sirenat, aeroplanët që kalonin. Udhëtimi ishte mjaft i gjatë, thuajse pa pushim, gjithmonë me ndjenjën e rrezikuar. Kjo ishte gjëja më e keqe. Kudo kishte radhë të gjata, në zonat e shërbimit nuk kishte as ushqim e as benzinë”, shton Fonseca.

Ai megjithatë ka frikë dhe po brengoset për njerëzit që kanë zgjedhur të mbesin në Ukrainë për ta mbrojtur vendin.

“Nuk kam fjalë për ta përshkruar. Janë duke vuajtur shumë dhe janë duke luftuar fort për ta mbrojtur vendin. Presidenti, Volodymyr Zelenskyy është i pari. Ishte një listë enorme e personave që dëshironin të futeshin në Ukrainë për të ndihmuar në luftë. Janë një numër i madh i personave publikë që janë të vendosur për të luftuar”, deklaroi ai ndër të tjera.

“Do të jetë e vështirë për këta persona, por besoj se tashmë e kanë fituar këtë luftë. Kemi shumë miq atje, të cilët janë duke e mbrojtur me trimëri Ukrainën. Miqtë tanë janë mirë, në front. Jemi mjaft të brengosur për ta”, përfundoi Fonseca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat