Vllaznia e Apolonia “kopjojnë” njëra-tjetrën

Futboll

Vllaznia e Apolonia “kopjojnë” njëra-tjetrën

Më: 14 mars 2022 Në ora: 13:03
Vllaznia e Apolonia “kopjojnë” njëra-tjetrën

Pak javë kanë mbetur nga përfundimi i kampionatit të futbollit të femrave edhe për këtë edicion, teksa është mbyllur me sukses e pa surpriza edhe kjo javë e 15-të. Ndeshjet janë luajtur të gjitha këtë fundjavë, të ndara në dy ditë.

Teuta – Partizani ishte ndeshja hapëse e kësaj jave, që u mbyll me suksesin 3-5 të vajzave kryeqytetase.

Një sfidë që ishte vërtetë emocionuese, që pavarësisht tre pikëshit për Partizanin, krijoi mjaft vështirësi për ta arritur këtë rezultat. Fillimisht ishin durrsaket ato të cilat kaluan në avantazh, me Bushin që realizoi golin e parë për Teutën, ndërsa në minutën e 40-të, Xheci dyfishoi shifrat. Me nisjen e fraksionit të dytë të lojës, Begallo gjeti golin për Partizanin, duke ngushtuar shifrat, ndërsa realizoi edhe Tabaku dy gola për kryeqytetaset në harkun kohor të tre minutave, duke i kaluar në epërsi. Festa zgjati pak në kampin e kuq, pasi Xheci shënoi golin e dytë personal, duke barazuar kështu edhe shifrat.

Në 10 minutat e fundit, Begallo gjeti edhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës, duke vulosur një tripletë personale dhe shifrat 3-5 në favor të Partizanit, që merr një tjetër tre pikësh mjaft të vlefshëm. Java e ardhshme do të rezervojë edhe derbin e kryeqytetit për femra, Tirana – Partizani.

Sakaq, sfida tjetër e së shtunës, Lushnja – Skënderbeu ka përfunduar në favor të korçareve me rezultatin 0-2. Një pjesë e parë e ekuilibruar për të dyja skuadrat, teksa në fraksionin e dytë, Repa realizoi dy gola për juglindoret, me një tre pikësh që i largon nga fundi i tabelës.

Apolonia e Vllaznia vazhdojnë marshimin me hap prej kampionesh, teksa kanë arritur të marrin edhe këtë të diel tre pikëshat në ndeshjet respektive. Fieraket mposhtën me shifrat 8-0 Tirana AS në shtëpi, me Hamonikaj, e cila hapi serinë e golave, ndërsa realizoi dopietë në këtë sfidë, ndërsa shënuan edhe Troka (2),  Mema, Demiri, Xhindole e Ferataj.

Ndërkaq, kampionet aktuale të vendit, dolën triumfuese në derbin e Shkodrës, duke mundur me rezultatin 0-8 skuadrën e Atletik Club. Doçi e Franja realizuan nga një dopietë, teksa lanë gjurmë në këtë sfidë edhe Gjergji, Berisha, Piranaj e Lufo. Një tre pikësh i rëndësishëm ky për Vllazninë që e mban në krye të tabelës së klasifikimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat