Turneu i Bosnjës, trajneri Damo tregon si po punohet me Kombëtaren U-15

Futboll

Turneu i Bosnjës, trajneri Damo tregon si po punohet me Kombëtaren U-15

Më: 17 prill 2022 Në ora: 13:15
Turneu i Bosnjës, trajneri Damo tregon si po punohet me Kombëtaren U-15

Kombëtarja shqiptare U-15 do të nisë përgatitjet për pjesëmarrjen në turneun ndërkombëtar “Josip Katalinski Skija” që do të zhvillohet në Bosnje – Hercegovinë në datat 3-5 maj 2022.

Ky është një turne tradicional që organizohet nga Federata Boshnjake çdo vit dhe në këtë edicion do të marrë pjesë edhe vendi ynë. Para turneut skuadra do të zhvillojë këtë javë edhe një seleksionim 1-ditor me lojtarët e evidentuar në kampionatin shqiptar, për të parë formën e kuqezinjve.

Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë turneu trajneri i Kombëtares U-15, Armand Damo, ka folur për Fshf.org në lidhje me përgatitjet dhe planet e tij për lojtarët që do të grumbullohen. Tekniku i kuqezinjve thekson se në këtë turne do të ketë një ndërthurje të elementëve që luajnë në kampionatin shqiptar dhe atyre që aktivizohen jashtë vendit. Sipas Damos, ky aktivitet është një mundësi e mirë për të parë lojtarët e rinj në aksion të matin forcat me moshatarët e tyre të vendeve të tjera.

Kemi bërë seleksionime të vazhdueshme me të gjithë futbollistët që aktivizohen në klube shqiptare, gjithashtu kemi marrë sugjerime nga skautët tanë jashtë vendit për lojtarë që luajnë në nivele të mira. Muajin e ardhshëm kemi në program pjesëmarrjen në një turne ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, ku do të ftojmë lojtarët më cilësorë të kësaj grup-moshe për momentin që luajnë në Shqipëri dhe jashtë vendit.

U kemi dhënë pak përparësi lojtarëve që aktivizohen jashtë dhe më pas do të kemi edhe dy ndeshje në Kosovë dhe do të ftojmë një pjesë tjetër lojtarësh me shumicën që do të jenë nga kampionati shqiptar.

Kemi dy grupe aktualisht për moshat U-15, ku ka një ndarje mes atyre lojtarëve që janë më të zhvilluar fizikisht dhe atyre lojtarëve që janë më pak të zhvilluar fizikisht.

Këta të fundit janë futbollistë goxha cilësorë, por ama nuk janë akoma aq të fortë fizikisht sa duhet të jenë dhe ne do të mundohemi që në ndeshjet ndaj Kosovës të testojmë edhe lojtarët që janë më pak të zhvilluar fizikisht, por edhe lojtarët që janë tashmë të rritur për të krijuar një grup që do të jetë i perspektivës në të ardhmen e që do të jetë i gatshëm për të kaluar tek ekipet kombëtare U-17 dhe U-19”, – thotë Armand Damo.

Gjithashtu, trajneri i Kombëtares U-15 shprehet se duhet shumë vëmendje për këtë brez, pasi është një fazë delikate për zhvillimin e futbollistëve të vegjël dhe duhet bërë një parashikim sa më i saktë për potencialin që paraqet çdo element në perspektivë.

“Në turneun e Bosnje-Hercegovinës do të kemi mundësi të shohim në aksion lojtarët që kemi në dispozicion aktualisht për të kuptuar se në çfarë niveli jemi krahasuar me ekipe të huaja.

Sigurisht që do të mund të përzgjedhim ata lojtarë që do të bëjnë paraqitje të mira për t’i pasur edhe në grumbullimet e tjera.

Mendoj se brezi i datëlindjes 2008 ka elementë mjaft të mirë, është një fazë delikate për rritjen e futbollistëve dhe ne duhet të kemi shumë të vëmendshëm dhe shumë të aftë të bëjmë parashikimet e duhura në perspektivë kur vjen fjala për përzgjedhjet. Sepse duhet të marrim parasysh zhvillimin e lojtarëve në të ardhmen që të mos gabojmë te lojtarët cilësorë. Ndaj do të kemi këtë gërshetim, në ndeshjet e radhës do të marrim grupin e lojtarëve që janë më të zhvilluar fizikisht dhe ata që janë më pak të zhvilluar fizikisht, por që në perspektivë mund të kenë një rritje cilësore”, – vijoi trajneri Damo.

Kombëtarja U-15, përveç këtyre dy impenjimeve të afërta, ka në program edhe pjesëmarrjen në turneun UEFA Development U-15 që zhvillohet në shtator dhe ku do të marrin pjesë katër skuadra. Sipas teknikut edhe në atë turne Shqipëria U-15 do të shkojë me grupin më të mirë të mundshëm nga këto seleksionime të ardhshme.

Në fund, Damo vlerëson edhe punën që po bëhet me evidentimin e lojtarëve të moshave dhe zhvillimin e elementëve të talentuar në të gjitha ekipet Kombëtare.

“Struktura e ngritur nga FSHF për zhvillimin e moshave ka funksionuar më së miri, duke filluar nga ekipet përfaqësuese rajonale dhe duke vazhduar më pas te ekipet Kombëtare të moshave ka dhënë rezultate të mira. Kemi ndërtuar grup goxha të mira me datëlindjen 2005 dhe më pas datëlindja 2006, që është aktualisht grupi i Kombëtares U-17 e që është shumë cilësor.

Pjesa dërrmuese e lojtarëve që janë përzgjedhur për të luajtur me Kombëtaren U-15 kanë kaluar te Kombëtarja U-17.

Ka qenë një avantazh fakti që i njëjti grup lojtarësh kanë luajtur bashkë në ekipet Kombëtare të moshave, pasi njihen mirë me njëri-tjetrin dhe kësisoj shprehen më mirë në fushë, duke marrë edhe rezultate pozitive”, – përfundoi Armand Damo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat