Duka: Ngjarja më e rëndësishme në këto 30 vite demokraci

Futboll

Duka: Ngjarja më e rëndësishme në këto 30 vite demokraci

Më: 24 maj 2022 Në ora: 11:45
Duka: Ngjarja më e rëndësishme në këto 30 vite demokraci

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka treguar se organizimi i finales së Conference League në Tiranë është një nga ngjarjet më të rëndësishme që ndodh këto 30 vite demokraci në vendin tonë.

Duke folur për “Fan Zone”, Duka theksoi se kjo arritje ka ardhur si pasojë e punës së vazhdueshme e me program.

Kreu i FSHF-së shtoi se një nga arsyet kryesore pse mbështet skuadrën e Romës është Marash Kumbulla, ndërsa I uroi suksese edhe Feyenoordit në këtë finale.

Rëndësia e organizimit të finales: “Sot është një ditë e bukur sepse presim këtë finale, vërtetë kemi pasur mendime të ndryshme e skepticizma a do jetë kjo finale në Shqipëri. A është vërtetë kaq e rëndësishme? Po është vërtetë shumë e rëndësishme, e kemi finalen, të gjithë bashkë kemi bërë maksimumin. Padyshim që UEFA duhet falenderuar që mundësoi organizimin e këtij kompeticioni, edhe ne si bashkëpunëtor. Por kjo tregoi se Shqipëria është një vend që mund të organizojë, një vend që duhet vizituar.”

Si u arrit? “Mendoj se kjo finale është kulmi i organizimit të një eventi në Shqipëri në këto 30 vite demokraci, do përpiqemi të organizojmë edhe evente të tjera. Ne kemi ardhur në këtë finale me projekt, program dhe një objektiv. Kemi punuar për të arritur objektivin. Kemi organizuar turne për U-17, U-19, UEFA e ka parë që mund të organizonim turne, pastaj u ndërtua stadiumi dhe u pa që mund të organizonim edhe finale.”

Finalja e parë e këtij kompeticioni: “Jam shumë i lumtur që ne kemi ndeshjen e parë finale të këtij kompeticioni, mbi 50 skuadra kanë luftuar për të ardhur në Tiranë. Feyenoordi e ka nisur me Dritën e Kosovës për të ardhur në Tiranë.”

Tifozeri me Kumbullën dhe Romën : “Më kanë kritikuar se kam thënë se unë mbështes Romës, më kanë thënë që duhet të them të fitojë më i miri. Dakord të fitojë më i miri, por te Roma ne kemi djalin tonë, Kumbullën dhe jam i sinqertë. Normal unë i uroj suksese edhe Feyenoordit, uroj që ta kalojnë sa më mirë këtu dhe të rikthehen në Shqipëri, e të mos mërziten nëse ndonjë bën tifo për Romën.

Arritja e finales: “Çdo gjë me punë arrihet, padyshim që është shumë e vështirë që të arrish një kompeticion të tillë. Por të gjithë për këtë gjë punojmë për të pasur sa më shumë suksese, krijojmë shembuj pozitiv që fëmijët t’i ndjekin.”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat