Gati të vijnë 900 milionë euro te Barcelona

Futboll

Gati të vijnë 900 milionë euro te Barcelona

Më: 24 maj 2022 Në ora: 15:40
Laporta

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, po i lëviz të gjithë gurët për të gjetur kurën për të shëruar plagët financiare të klubit që drejton. Në skuadër nevojitet një revolucion i plotë, por për ta bërë një gjë të tillë nevojiten miliona. Në këto momente Barcelonës i mungojnë dhe jo pak, burimet financiare.

Jo më kot, në më shumë se një rast numri një i klubit ka deklaruar se nuk do të bëjë asnjë çmenduri në merkato, derisa financat të përmirësohen disi. Jo më larg se java e kaluar Laporta pati deklaruar se shpreson të gjejë burimet e nevojshme financiare që i nevojiten brenda 30 qershorit.

Presidenti pranoi se po punon në tri drejtime dhe se nga njëri prej tyre mund të arrihen rezultatet e para konkrete.

Siç ka bërë me dije “El Confidencial” të hënën pasdite, klubi po negocion për të mbyllur këtë javë marrëveshjen me fondin e investimeve “CVC”, atë “ASF” si dhe shitjen e 30% të të drejtave televizive te banka “Goldman Sachs”.

Duke i mbledhur të gjitha këto financime, kjo do t’u siguronte arkave të Barcelonës një fond prej rreth 900 milionë eurosh. Duke zbërthyer lëvizjet e Barcelonës, klubi katalanas ka kërkuar 300 milionë euro nga fondi i investimeve “CVC”.

Me fondin tjetër të investimeve, klubi pritet të arkëtojë edhe 400 milionë euro të tjera, teksa pjesën e mbetur pritet ta plotësojë nga shitja e të drejtës TV për “Goldman Sachs”.

Madje, media në fjalë shpjegon se Barcelona ka kërkuar një raport nga një konsulent i jashtëm për të vërtetuar se kjo shumë nuk do të llogaritet si borxh dhe do të llogaritet si kapital.

Nuk duhet të harrojmë se të gjitha planifikimet sportive këtë verë që Barcelona kërkon të kryejë në merkaton e verës janë të varura plotësisht nga likuiditeti i saj financiar. Dhe vetëm me aktivizimin e levave të tilla ekonomike, klubi do të mund të dalë nga kriza dhe të ndërhyjë në merkato për ndërtimin e një skuadre konkurruese për sezonin e ardhshëm".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat