Buba erdhi nga bankina, por në skenë doli Florent Ramadani

Futboll

Buba erdhi nga bankina, por në skenë doli Florent Ramadani

Më: 8 korrik 2022 Në ora: 11:18
Buba erdhi nga bankina, por në skenë doli Florent Ramadani

Në mesfushë rotacionet janë më pak të kufizuara, pasi apriori ekipi humb fantazinë. Megjithatë mbrëmë në ndeshjen kundër Ararat, trajneri i Shkëndijës, Artim Shaqiri ishte i detyruar që të nis ndeshjen pa “dirigjentin” kryesor të ekipit në mesfushë, Ferhan Hasani.

Megjithatë një “dirigjent” tjetër u vërejtë në mesfushën e Shkëndijës, Florent Ramadani, një tjetër ADN e “kuqezinjëve”, para të cilit është një e ardhme e ndritur.

Edhe pse vetëm 21-vjeçar, Ramadani mbrëmë në fushën e blertë sillej si një futbollistë me përvojë shumë vjeçare në futbollin europian, pavarësisht se zhvillonte vetëm ndeshjen e tij të katërt europiane me fanellën “kuqezi”.

Ai ndërhynte thuajse në çdo moment të duhur në prapavi, ndërsa gjithashtu ushqente me topa edhe futbollistët më të avansuar, duke kontribuar në këtë mënyrë edhe në pjesën ofenzive.

Në një moment të tillë, ai madje kontribuoi në mënyrë indirekte gjatë shënimit të njërit prej golave të mbrëmshëm, duke ndaluar aksionin e ekipit kundërshtarë dhe duke ju mundësuar bashkëlojtarëve të tij që përmes kundërsulmit të vijnë edhe deri tek goli.

Performanca e tij e shkëlqyeshme nuk kishte mbetur pa u vërejtur edhe nga të dy trajnerët, Shaqiri dhe Voskanjan, të cilët pas përfundimit të ndeshjes e kishin uruar për paraqitjen e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat