Bekim Aliu para ndeshjes me Buduçnostin: Sot të gjithë jemi llapjanë në stadiumin që mban emrin e ikonës tonë, Fadil Vokrri

Futboll

Bekim Aliu para ndeshjes me Buduçnostin: Sot të gjithë jemi llapjanë në stadiumin që mban emrin e ikonës tonë, Fadil Vokrri

Nga: K. Goca Më: 14 korrik 2022 Në ora: 12:42
Bekim Aliu

Përballja mes Llapit të Podujevës dhe Buduçnostit të Podgoricës, pritet me drithërima nga tifozët “Legjendat” dhe kudo që jetojnë e veprojnë shqiptarët, me bindje se llapjanët do të përmbysin humbjen e ndeshjes së parë (2:0) dhe të kualifikohen në rrethin e dytë të Conference League.

Ballafaqimi mes fituesit të Kupës së Kosovës dhe fituesit të Kupës së Malit të Zi, luhet sonte në orën 20.00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Gazetari i mirënjohur sportiv, Bekim Aliu, kërkon përkrahje maksimale për Llapin. 

“Llapi i Podujevës sot e zhvillon ndeshjen më të rëndësishme në historikun e tij 90-vjeçar, ndërsa për rival e ka Buduçnostin e Podgoricës, nga i cili pësoi humbje (0:2) në ndeshjen e parë të Ligës së Konferencës për këtë edicion.

Provokimet e tifozëve proserb në ndeshjen e parë i qitën hije të zezë ballafaqimit në kryeqytetin malazez, gjë e pritur kjo. 

Nëse je tifoz i njëmendtë, në asnjë mënyrë dhe rrethanë nuk duhet të bësh atë që bëri tifozi malazez. Si tifoz i vërtetë i Llapit, duhet përkrahur klubin e zemrës duke e motivuar atë për fitore.

Nëse do të jesh i ngarkuar emocionalisht apo edhe politikisht, do të dështosh në përpjekjet tuaja për t'u ndihmuar djelmoshave llapjanë. Ata në ndeshjen jetike kërkojnë përkrahjen tënde të fuqishme, duke thirrë emrin e Llapit, duke brohoritur me aq zë sa ke emrin e Kosovës. 

Nëse je tifoz i njëmendtë mos i ngarko futbollistët me thirrje armiqësore kundrejt rivalit. Ai ka nevojë për zërin tënd, për zërin e secilit prej afro 12 mijë vetave që do të jemi në tribuna. 

Ti tifoz i njëmendtë do të kesh afër vetes prishtinasin, prizrenasin, gjakovarin, gjilanasin, tetovarin, tiranasin, shkupjanin, preshevarin, korçarin, durrësakun, ..., e shumë vëllezër të tjerë shqiptarë, që sonte do të ndjehen llapjanë si asnjëherë më parë. 

Ndeshja e sontme ndaj rivalëve malazez, nuk është ballafaqim vetëm i Llapit, është ndeshje për të gjithë tifozët shqiptarë anekënd botës. 

Sonte ndeshjen do ta përcjellin edhe bashkatdhetarët tanë që gjenden me pushime në Kosovë, por ka edhe të tillë që kanë udhëtuar enkas për këtë ndeshje. 

Mobilizimi i të gjitha grupeve të tifozëve, jo vetëm nga Kosova e Shqipëria, por edhe e vëllezërve nga Shkupi e Tetova, si dhe nga Kosova Lindore, bën që të ndjehemi njëlloj në tribuna-shqiptarë. 

Sot bëjmë tifo për Llapin, ashtu siç bëmë ditë më parë edhe për Ballkanin, Dritën e Gjilanin, që sivjet janë duke e përfaqësuar futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare. 

Sot dhe gjithmonë kur luajnë skuadrat tona në ndeshjet ndërkombëtare duhet të harrojmë nga cili qytet i Kosovës vijmë. Sot jemi llapjanë në Stadiumin që mban emrin e ikonës tonë, Fadil Vokrri. Andaj, eja edhe ti, merri shokët me vete, sot shterre zërin për Llapin, për ta bërë të njëjtën gjë edhe kur luan Ballkani, Drita e Gjilani. 

Përpara Llapi im, luaj, fito, na gëzo!”, ka shkruar Aliu në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat