Duro: Kualifikimi - sukses

Futboll

Duro: Kualifikimi - sukses

Më: 15 korrik 2022 Në ora: 10:18
Duro

Një gol i Mentor Mazrekajt në kufijtë e minutës së 20-të i mjaftoi Laçit për të mundur malazezët e Iskra dhe për të kaluar në turin e dytë të Conference League. Përballë tani do të kenë moldavët e Petrocub. Pas ndeshjes së zhvilluar në Podgoricë, për Supersport ka folur trajneri Shpëtim Duro, i cili thekson se është i kënaqur me skuadrën e tij dhe shënjestron turin e tretë të Conference League.

Kualifikoheni sërish në turin e dytë të Conference League? A ishte më e vështirë se e prisnit?

Është një sukses i skuadrës tonë kalimi në turin e dytë. Edhe për klubet shqiptare është një arritje kalimi i turit, për shumë faktorë. Jam i kënaqur me skuadrën jo vetëm për kualifikimin, por edhe për paraqitjen në të dyja ndeshjet. Kemi dominuar ndaj kundërshtarit. Nuk ishte i lehtë, luante me shumë forca mbrapa dhe kjo e shton vështirësinë. Të dyja ndeshjet ne kemi dominuar, edhe ndeshjen e djeshme pavarësisht se rezultati ishte minimal. Normalisht duhet ta kishim mbyllur shumë më shpejt, nisur nga situatat e krijuara.

Sa i kënaqur jeni nga paraqitja e skuadrës në ndeshjen e kthimit?

Jam i kënaqur, së pari, që skuadra nuk ka pësuar gol. Kjo është shumë e rëndësishme në sistem vajtje-ardhje. Më kënaq fakti që shënuam, fituam dhe krijuam shumë mundësi në ndeshjen e dytë. Kjo është pozitive.

Sa e rëndësishme do jetë të bëni ndonjë përforcim para ndeshjes me Petrocub? A ka ndonjë lëvizje konkrete, apo ende?

Skuadra do jetë e njëjta, pasi nuk është se kemi kohë. Pas gjashtë ditësh luajmë të radhës. Do shikojmë, por është shumë e vështirë që të kemi ndonjë ndryshim.

Si i shikoni shanset për kaulifikim me moldavët? Mund të përsëritet arritja e verës së shkuar?

Nuk është se kemi informacion për Petrocub. Që sot do të fillojmë të kërkojmë informacion. Le të shohim çfarë niveli kanë, pastaj mund të flasim për shanset e kualifikimit. Jam i bindur që është një moment që ne duhet ta synojmë kualifikimin edhe në këtë tur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat