Morina: Superliga e paparashikueshme, ky është objektivi i Ferizajt

Futboll

Morina: Superliga e paparashikueshme, ky është objektivi i Ferizajt

Më: 13 gusht 2022 Në ora: 10:38
Arbnor Morina

Superliga e Kosovës starton sot edicionin e ri garues 2022/23, ku do të zhvillohen tri ndeshjet e para.

Skuadra e Ferizajt është njëra nga skuadra që do sjellë risi në këtë kampionat me trajnerin, Arbnor Morina, i cili erdhi nga Liga e Parë duke e mbyllur kampionatin pa asnjë humbje.

Para nisjes së kampionatit, Morina ka thënë, se ky sezon do të jetë shumë i paparashikueshëm duke marrë parasysh se futbolli në vendin tonë ka avancuar me hapa të shpejtë.

Morina: Cilësia e Superligës po rritet dukshëm nga viti në vit

“Gjithsesi, çdo vit është më interesant. Vet fakti që numri i ekipeve për të dalë në Evropë është rritur, tregon që cilësia vetvetiu është më e mirë se sa që ka qenë viteve të kaluara. Edhe pse ka pasur shumë zëra të cilët kanë thënë se futbolli ka stagnuar, duhet të thuhet se futbolli ka avancuar, mirëpo kanë stagnuar gjërat përreth futbollit, të cilat nuk kanë të bëjnë direkt me klube por me shtet dhe me qeveritë, të cilat duhet të jenë investitorë kryesorë për sa i përket infrastrukturës e cila është e nevojshme për punë. Në anën tjetër, ka shumë të dhëna të cilat tregojnë që futbolli ka përparuar shumë në Kosovë. Një ndër to është edhe matja e vrapimit të futbollistëve, e cila është për lakmi. Këtë po e them botërisht. E dyta, numri i pasimeve të sakta është më i madh se sa në dhjetë vitet e fundit, për shembull, numri i topave të humbur në fazën e mbrojtjes është shumë më i vogël se sa që ka qenë përpara, loja po bartet nga pjesa në pjësë. Të gjitha këto karakteristika të cilat ndoshta njeriu i thjeshtë nuk i vëren me sy, mirëpo ne që jemi çdo ditë në fushë edhe që i bëjmë matjet në vazhdimësi i kemi vërejtur, i kemi parë. Vetë fakti që tri ekipe, katër ekipe po luajnë në Evropë, është një tregues që kemi një kualitet më të lartë se sa viteve të kaluara. Pres që edhe ky vit të shkojë në atë ritëm si deri më tani”, tha Morina.

Sa i përket luftës për titull, Morina ka thënë se në këtë garë do të jenë skuadrat që gjatë afatit kalimtar kanë investuar më shumë në konsolidimin e radhëve të tyre.

Morina: Titulli diskutohet mes skuadrave që kanë investuar më shumë

“Ekipet të cilat kanë bërë transferime të bujshme dhe të mëdha e kanë për obligim të luftojnë për titull. Mund të kenë frazeologji që jo do të luftojmë vetëm për të dalë në Evropë apo do të mundohemi përmes kupës por ajo është një lojë fjalësh, mos të them demagogji sepse vet investimi i madh të obligon të luftosh për atë çfarë je i paguar dhe ajo është lufta për titull. Të gjitha gjërat tjera janë mbulesë e një dështimi të vogël sepse investimet janë marramendëse dhe shifrat të cilat po përmenden dhe janë përmendur edhe vitin e kaluar të bëjnë të luftosh për titull që të jesh rehat me vetveten dhe rehat me njerëzit që të paguajnë në klub”, theksoi Morina.

Sa i përket skuadrës që ai e drejton, Morina pranon se klubi i ka objektiva modeste dhe qëndrimi në Superligë do të ishte një përmbushje e pritjeve të tyre.

Morina: Ferizaj do të kërkojë stabilitet në Superligë

“Ajo çfarë ne kemi biseduar dhe çfarë po pretendojmë të arrijmë të jemi shumë stabil në lojë, të jemi stabil në Superligë. Me dy këmbë jemi në tokë, nuk jemi as kandidatë për titull të kampionit edhe pse kemi sjellë lojtarë nga regjioni i Ferizajt, të cilët shumicën i kam pasur lojtarë në klube të tjera. Nuk jemi kandidatë për titull, nuk jemi kandidatë që do ta ndjekim kupën por do të mundohemi të jemi ekip i cili do të jetë stabil në Superligë dhe pastaj të shohim se si do të rrjedhë plani për vitin tjetër. Mirëpo ky vit është shumë domethënës për arsye se pas një kohe të gjatë Ferizaj u kthye në Superligë me një ecuri shumë të mirë dhe tani këtë duhet ta dëshmojmë edhe në Superligë”, shtoi Morina.

Ai thotë se lufta për ekzistencë do të jetë shumë e ashpër, por nuk përjashton edhe surprizat që mund të ndodhin.

Morina: Lufta për ekzistencë do të jetë e paparashikueshme

“Secila ekipë i ka karakteristikat e veta edhe pozitive edhe negative, ashtu siç i ka edhe Ferizaj. Mendoj që asnjëra prej tyre nuk pretendon të jetë në luftë për ekzistencë, por a do të jetë luftë interesante, po do të jetë sepse ndoshta mundet dikush prej fundit të përfshihet për kreun e tabelës apo dikush prej kreut të tabelës të përfundojë në mes të tabelës. Këtë do ta tregoj kampionati por me siguri që të gjithë nuk do të shkojnë me ritmin të cilin e kanë paraparë sepse kjo është futboll dhe këtu nuk është matematikë, një dhe një nuk bëjnë dy sepse e ka treguar edhe kampionati paraprak, edhe ai më herët që ka pasur ekipe super të kompletuara që në moment të fundit kanë dalë në Evropë, nuk kanë mundur ta realizojnë synimin për titull të kampionit”, ka thënë Morina në fund.

Ndeshjen e parë Ferizaj do të zhvillojë sot nga ora 17:00, ku do të përballet me skuadrën e Gjilanit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat