Tetovari Valon Aliji nga Union Berlin, debuton me Maqedoninë e Veriut

Futboll

Tetovari Valon Aliji nga Union Berlin, debuton me Maqedoninë e Veriut

Më: 14 gusht 2022 Në ora: 16:59
Valon Aliji

Shqiptarët si popull ndër vite janë përballur me problemin e ekzistencës dhe shumë familje në kërkim të jetës më të mirë janë detyruar të marrin rrugën e mërgimit.

Si të tillë duke jetuar e vepruar gjithandej nëpër Europë, ata tashmë kanë ndërtuar një “botë” të tyre dhe tashmë nuk llogariten vetëm si punëtorë të thjeshtë të krahut. Rinia jonë fiton gjithnjë e më shumë “terren” në sfera të ndryshme të jetës dhe sot mund të krenohemi me talentët që shkëlqejnë në arsim, biznes e sport. 

Nga shumë shembuj, me këtë rast po prezantojmë një të ri që po rritet ngadalë por sigurtë si futbollist. 

Quhet Valon Aliji, me familje nga Nerashti i Tetovës e që qëndrojnë e veprojnë në Berlin të Gjermanisë. Që në moshë shumë të vogël Valoni tashmë 17-të vjeçar fillon të stërvitet në futboll dhe sot është pjesë e ekipit U19 Union Berlinit. Sezonin e shkuar ishte pjesë e skuadrës u 17 të Union Berlinit, ndërsa paraqitjet e mira bënë që ta avansojnë te gjenerata U19 ku do të paraqitet sezonin e ri. 

Ecuria e tij nuk mbeti pa u vërejtur edhe nga përfaqësuesja U18 e Maqedonisë së Veriut dhe Aliji tashmë kishte grumbullimin e parë me reprezentacionin në dy ndeshjet kontrolluese me Rumaninë në Bukuresht (barazim 1:1 dhe humbje 1:0)

“Kjo ishte hera e parë që kisha mundësinë të paraqitem në ekipin përfaqësues të Maqedonisë dhe si fillim jam i kënaqur. Normal, gjithmonë mundet më mirë, pasi adaptimi kërkon pak kohë dhe për mua gjithçka ishte e re, derisa vijmë nga pushimi dhe akoma nuk jemi në rritëm garues.

Besoj të kem kënaqur stafin teknik, ndërsa shpresoj të marr sërish ftesë për të treguar se mund të ndihmoj përfaqësuesen me paraqitjet e mia”, është shprehur futbollisti i Union Berlinit, Valon Aliji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat