Gegaj merr vlerësime pozitive nga trajnerët e gjigjantit suedez, Kalmar FF

Futboll

Gegaj merr vlerësime pozitive nga trajnerët e gjigjantit suedez, Kalmar FF

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 11:41
Gegaj

Në korrikun e këtij viti, portieri i moshave nën 15 vjeç të 2 Korrikut, Denis Gegaj, mori rrugën për në shtetin e Suedisë, aty ku për disa javë qëndroi te skuadra që vie nga ky shtet, Kalmar FF, një emër jo pak i njohur për klubin e 2 Korrikut, duke e ditur faktin se ishte pikërisht kjo skuadër nga ku depërtoi numri një i portës së Kombëtares Shqiptare, Etrit Berisha, i rritur e i formuar si futbollist te “verdheblutë”, shkruan në faqen e KF 2 Korrikut të Prishtinës.

Portieri perspektiv nga Kosova, Gegaj, tregoi cilësitë e tij në seanca stërvitore, si në ato që i zhvilloi me moshat e reja të suedezëve ashtu edhe stërvitjet individuale me trajnerët e portierëve.

Denisi arriti që të tregoi potencialin e tij, e kjo nuk mund të mos vërehej nga trajnerët e klubit të Kalmar, Anders Larsson, Donald Arvidsson dhe Aleco Postanidis, dy nga të cilët kanë dërguar edhe vlerësimet e tyre në lidhje me paraqitjet e Denisit në ato ditë sa ka stërvitur e është testuar tek klubi suedez.

Së pari, vlerësimin e tij e dha trajneri Anders Larsson, i cili mes tjerash përmendi se Denisi është shpërthyes, ka teknikë të mirë të shtrirjes, reagon jashtëzakonisht mirë si dhe ka pasime të mira me këmbë.

Pas trajnerit Larsson, radha ishte për trajnerin tjetër, Donald Arvidsson i cili potencoi se portieri Gegaj, ndonëse u stërvit me dy portiera tjerë që ishin më të mëdhenj në moshë se ai, nuk vërehej ndonjë dallim dhe ishte në nivel të njëjtë me ta. Po ashtu, potencoi se Denisi ka teknikë të shkëlqyeshme të portierit, ndërsa tha se teksa Denisi rritet, teknika që ai e posedon do t’i ndihmojë edhe më shumë.

E duke i pasur paraysh këto vlerësime, të  cilat na bëjnë shumë krenarë për Denisin, të cilin e njohim që shumë të vogël, e i cili është prodhim i Shkollës së Futbollit “2 Korriku”, ne besojmë shumë se të riun Gegaj, nëse vazhdon me paraqitje të tilla dhe angazhimin që e ka përcjellur deri tani, pa asnjë dilemë mund ta shohim si pasues të Etrit Berishës, të cilin Denisi e merr si model e ka shumë fjalë të mira për të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat