Vijon bashkëpunimi FSHF – Federata Norvegjeze e Futbollit

Futboll

Vijon bashkëpunimi FSHF – Federata Norvegjeze e Futbollit

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 13:08
Vijon bashkëpunimi FSHF – Federata Norvegjeze e Futbollit

Futbolli i vajzave është një nga prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka njohur zhvillim të madh gjatë viteve të fundit.

Instituticioni qeverisës i futbollit në vend i ka dhënë e vazhdon t’i japë shumë rëndësi jo vetëm vajzave që luajnë futboll, por edhe atyre që mësojnë futbollin, trajnerëve, për të pasur sa më shumë kualitet në skuadra.

Që prej vitit 2019, FSHF në bashkëpunim me Federatën Norvegjeze të Futbollit kanë organizuar pesë kurse të financuara nga qeveria norvegjeze për trajneret vajza, me qëllim rritjen e cilësisë dhe numrit të tyre në futboll, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në 5 shtete te tjera të Ballkanit.

Për të treguar më tepër rreth këtij kursi, FSHF.org ka zhvilluar një intervistë me drejtuesin e ‘Departamentit të Futbollit të Moshave’ në FSHF, Andi Zëre, i cili zbulon shumë detaje rreth kursit, që nga si lindi ideja për bashkëpunimin me Federatën Norvegjeze, te rëndësia e kursit dhe kush mund të marrë pjesë.

Pas përfundimit të këtij kursi që zgjat 4 ditë, çdo vajzë merr falas një bazë materiale të dhuruar nga Federata Norvegjeze, teksa bëhet edhe Ambasadore e Futbollit të Vajzave në zonën apo qytetin ku jeton.

Çfarë është ky kurs, kur nis dhe çfarë përfitojnë vajzat pjesëmarrëse – Ky është ‘Football Coaching Course’, kurs që FSHF e ka iniciuar tre vite më parë me Federatën Norvegjeze. Siç dihet, FSHF po investon në futbollin e femrave dhe futbollin e fëmijëve, por natyrshëm fokusi është edhe te trajnerët.

Federata Norvegjeze ka një eksperiencë shumë herë më të mirë se tonën në zhvillimin e futbollit të femrave dhe këtu lindi edhe ideja për të sjellë një eksperiencë ndryshe. Kursi fillon në datën 25 tetor. Ky është kursi i pestë që bëhet dhe do të zgjasë 4 ditë, ku përfshihet teori dhe praktikë.

Vajzat pjesëmarrëse marrin një certifikatë që vlen për Licencën C. Kjo licencë certifikohet nga Federata Shqiptare e Futbollit pas përfundimit të kursit. Në fund të kursit, vajzat marrin materialet e nevojshme për trajnime, që janë topa, jelekë, sinezina, çanta.

Pse është kaq i rëndësishëm ky kurs? – Ky kurs, përveç pjesës teknike dhe një eksperience europiane nga një Federatë që është lider në futbollin e femrave, të jep gjithashtu mundësinë e krijimit të një netëork-u. Mundësi për t’u lidhur me Federatën, mundësi për t’u lidhur me vajza të tjera që kanë eksperiencë, por sigurisht, mundësi për t’u lidhur edhe me Federatën Norvegjeze dhe ekspertë të huaj që do të jenë gjithmonë të pranishëm për atë çka studentët do të kërkojnë përgjatë kohës së trajnimit dhe më vonë.  Ky kurs i jep vajzave një mundësi afrimi me klubet, akademi apo shoqata që operojnë në futbollin e femrave dhe kanë shumë nevojë për trajnere femra.

Kush mund të marrë pjesë? – Pjesë e këtij kursi preferohen të jenë vajza që janë pjesëmarrëse në sport. Mosha minimale është 18 vjeç, të jenë studente të Akademisë së Sporteve, vajza nga fusha të tjera, mësuese, lojtare aktuale, ose edhe trajnere të cilat preferojnë të marrin një eksperiencë tjetër.

Çfarë ndodh pas përfundimit të kursit? – Çdo student që përfundon kursin është njëkohësisht Ambasadore e Futbollit të Femrave në zonën, komunitetin apo qytetin ku jeton. Ajo fare mirë mund të fillojë një aktivitet atje dhe t’i bashkohet çdo akademie apo klubi në futbollin e femrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat