Neuer: Ky mund të jetë Botërori im i fundit me Gjermaninë!

Futboll

Neuer: Ky mund të jetë Botërori im i fundit me Gjermaninë!

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 12:47
Neuer

Portieri dhe kapiteni i Gjermanisë, Manuel Neuer, thotë se Botërori i fundit në Katar mund të jetë ndoshta i fundit i tij. Në moshën 36-vjeçare, numri 1 i kombëtares së “Pancerave” mendon seriozisht të varë dorezat në gozhdë për t’i hapur rrugën brezit të ri.

“Nuk i dihet kurrë, por mendoj se do të jetë Botërori im i fundit”, deklaroi gardiani i Bajernit të Mynihut. Me t’u konfirmuar emri i tij në listën e Hansi Flikut ditën e enjte, Nojer pritet të luajë Botërorin e tij të katërt në karrierë, pas atij në 2010-ën, 2014- ën ku ai u shpall kampion bote në Brazil dhe në 2018-ën.

Gjermania do ta nisë Kupën e Botës në Katar në datën 23 nëntor me ndeshjen e parë të grupit kundër Japonisë.

Katër herë kampionët e botës janë mes pretendenteve për të triumfuar në turneun e parë që do të mbahet në dimër, por Nojer tregohet i kujdesshëm:

“Unë nuk kam frikë të them se ne duam të shpallemi kampionë bote, por kemi nevojë për momentin e duhur. E dimë që do të ketë shumë rivale të forta”.

Gjatë turneut ai do të mbajë shiritin shumëngjyrësh të kapitenit “One Love”, si simbol i diversitetit dhe lirisë.

Katari është kritikuar gjerësisht për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe situatën në vend. Edhe kapitenë të tjerë të kombëtareve pjesëmarrëse në Botëror do të mbajnë gjithashtu shiritin special.

“Me fushatën ‘One Love’ ne nuk po fshihemi, pavarësisht se ne jemi akuzuar se po e bëjmë këtë, sepse ai nuk është flamuri i ylberit (simboli i LGBT, i cili është i jashtëligjshëm në Katar)”.

Nojer u rikthye në fushë vetëm këtë javë pas një mungese 4-javore si pasojë e operacioneve për kancerin në lëkurë.

Ai ndihmoi skuadrën e tij në triumfin 3-2 kundër Hertës së Berlinit në Bundesligë dhe vendosi menjëherë një rekord.

Veterani regjistroi fitoren e 22-të në kampionat kundër klubit të kryeqytetit. Asnjë futbollist tjetër nuk e ka mundur një rival të veçantë kaq herë sa Nojer Hertën në Bundesligë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat