Triumfojnë Tirana dhe Kukësi, Mezani rikthehet me fitore te Laçi

Futboll

Triumfojnë Tirana dhe Kukësi, Mezani rikthehet me fitore te Laçi

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 16:06
Tirana

Tirana zhvilloi një takim miqësore sot në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Kampionët e Shqipërisë fituan 3-1 përballë Besës së Kavajës, ekip që bën pjesë në Kategorinë e Parë. Redon Xhixha, braziliani Patrick dhe Dijar Nikqi realizuan golat e fitores për skuadrën bardheblu, që ndan kreun e renditjes në kampionat bashkë me Partizanin me nga 22 pikë.

Në kryeqytet u zhvillua edhe një miqësore tjetër. Kukësi u përball me Dinamon e Nevil Dedes në kompleksion “Skënder Halili”. Verilindorët e Enkeleid Dobit triumfuan falë golave të Klejdi Dacit dhe Jakup Berishës, ndërkohë që Taulant Marku ishte autori i golit për 18 herë kampionët e Shqipërisë.

Ditën e premte luajti edhe Laçi përballë Burrelit në Pezë Helmes. Vlonjati Gentian Mezani e nisi me fitore 1-0 aventurën e dytë në stolin e nënkampionëve të Shqipërisë, të cilët mposhtën minimalisht skuadrën matjane falë golit të nigerianit Michel Babatunde.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat