​Ndeshja kundër Polonisë, Sylvinho zbulon çfarë ka kërkuar nga lojtarët

Futboll

​Ndeshja kundër Polonisë, Sylvinho zbulon çfarë ka kërkuar nga lojtarët

Më: 26 mars 2023 Në ora: 18:59
Sylvinho

Kombëtarja e Shqipërisë i rikthehet nesër aksionit, kur edhe e fillon ciklin kualifikues drejt Kampionatit Evropian Euro 2024.

Ndeshjen e parë të Grupit E, Shqipëria do ta zhvillojë si mysafire në stadiumin “PGE Narodowy” kundër Polonisë, raporton KosovaPress.

Po ashtu, ndeshja e nesërme shënon edhe debutimin e Sylvinhos në stolin shqiptar, i cili zëvendësoi trajnerin italian, Edoardo Reja.

Në konferencën e sotme për media, Sylvinho analizoi Poloninë, tregoi objektivat që ka nga kjo ndeshje, mënyrën se si ka planifikuar ta ndal Lewandowskin dhe mesazhin që kishte për lojtarët e tij.

Sylvinho tha se ndeshja e nesërme ndaj Polonisë është shumë e vështirë, por që është i kënaqur me punën që kanë bërë lojtarët e tij në stërvitje deri tani.

“Sigurisht që është një ndeshje e vështirë por është një ndeshje e gjitha për tu luajtur nga ana jonë. Polonia absolutisht është skuadër shumë e fortë, por unë jam i kënaqur nga puna që kemi bërë, jam i kënaqur nga grupi dhe nga atmosfera që kemi krijuar deri tani”, tha Sylvinho.

Më tej, trajneri brazilian tha se objektivi i skuadrës do të jetë që të merr pikë nga ndeshja e nesërme, pasi që çdo pikë është shumë e rëndësishme për ta arritur kualifikimin tutje në Euro 2024.

“Është shumë e rëndësishme që ne të shkojmë në fushën e lojës dhe të tregojmë diçka ndryshe, përveç pjesës taktike, pra të tregojmë dhe shpirtin dhe zemrën, dhe sigurisht ne i kemi të gjitha shanset tona për ta arritur kualifikimin. Rruga do të jetë e vështirë, por duhet se s’bën të marrim pikë, qoftë edhe një pikë, qoftë edhe gjysmë pike, edhe pse nuk ekziston në koncept, por çdo pikë është shumë e rëndësishme për objektivin tonë”, tha Sylvinho.

Sylvinho tregoi edhe mënyrën se si ka planifikuar ta ndal superyllin polak, Robert Lewandowski, duke marrë parasysh mungesat që ka Shqipëria në mbrojtje.

“Ne do të mbrohemi si skuadër dhe sigurisht që do të besojmë te kjo filozofi. Është e vërtetë që ne kemi mungesa në mbrojtje, por ne kemi 23 lojtarë. Ne do të mendojmë për mbrojtje, ashtu siç do të mendojmë për portën, ashtu siç do të mendojmë edhe për pjesën ofensive me të 11 lojtarët që kemi në fushën e lojës”, tha Sylvinho.

Po ashtu, trajneri i kuqezinjve zbuloi edhe atë se çfarë ka kërkuar nga lojtarët e tij për ndeshjen e nesërme ndaj Polonisë.

“Është shumë e rëndësishme të hymë në fushën e lojës me grintën, me agresivitetin e duhur dhe të jemi të përqendruar çdo sekondë në fushën e lojës. Këtë ja kam kërkuar lojtarëve përgjatë gjithë stërvitjes që kemi bërë, ose përgatitjeve që kemi bërë gjatë gjithë këtyre ditëve që të kenë fokus dhe të jenë të përqendruar nga minuta e parë dhe në fund. Po flasim për një ndeshje të nivelit të lartë, përqendrimi është një shkallë i nivelit të lartë”, tha Sylvinho.

Për fund, Sylvinho tregoi se lojtarët janë të gatshëm për ndeshjen ndaj Polonisë. Uzuni do të jetë i gatshëm dhe Abrashi është rikthyer nga një problem shëndetësorë që e kishte.

Nesër me fillim nga ora 20:45 stadiumi “PGE Narodowy” do të jetë nikoqir i përballjes mes Polonisë dhe Kombëtares së Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat