Allegri: Do të isha frikacak nëse do të largohesha tani

Futboll

Allegri: Do të isha frikacak nëse do të largohesha tani

Më: 23 maj 2023 Në ora: 16:13
Allegri

Juventusi po përjeton momente dramatike. Skuadra u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Evropës të enjten, ndërsa dje mori një dënim prej -10 pikësh nga Gjykata e Apelit për shkak të së cilës nuk do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Sikur të mos mjaftonte kjo, bardhezinjtë mbrëmë pësuan humbje edhe nga Empoli (4:1) në Serie A.

Sipas trajnerit, Massimiliano Allegri, gjithçka që po ndodh me klubin është e pajustifikueshme, teksa ka thënë se nuk do ta braktisë klubin në këtë periudhë të vështirë.

“Duhet të flasim me administratën dhe të zbulojmë se ku do të luajmë. Unë as nuk e di nëse do të na lejojnë në Ligën e Evropës.

Duhet të presim.

Është krejt ndryshe planifikimi i skuadrës kur luan në kompeticionet evropiane dhe krejtësisht ndryshe nëse nuk merr pjesë në to. Do të isha frikacak nëse do të largohesha nga Juventusi tani”, ka theksuar Allegri.

Sa i përket humbjes nga Empoli, ai ka pranuar se është i dëshpëruar, por nuk i ka fajësuar lojtarët.

Në fakt, lajmi për dënimin e Juventusit ka arritur te lojtarët vetëm dhjetë minuta para fillimit të ndeshjes me Empolin.

“Po, jam i zhgënjyer për momentin, por nuk mund të fajësoj lojtarët sepse rrethanat po ndryshojnë vazhdimisht.

Nuk duhet të kërkojmë justifikime sepse jemi Juventusi dhe jemi mësuar të fitojmë ose të paktën të përpiqemi gjithmonë të fitojmë. Megjithatë, ishte e çuditshme të mësohej për dënimin e klubit vetëm 10 minuta para ndeshjes me Empolin.

Pësuam një gol nga sulmi i parë i kundërshtarit, pastaj një tjetër dhe nuk arritëm të ktheheshim.

Por është e qartë se kjo skuadër e Juventusit fitoi 69 pikë në fushë këtë sezon”, ka shtuar trajneri i Juventusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat