Yorke: Mos u mburrni, e kemi bërë ne shumë vite më parë

Futboll

Yorke: Mos u mburrni, e kemi bërë ne shumë vite më parë

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 14:25
Ferguson e Yorke

Dwight Yorke, ish-sulmues i Manchester United nga viti 1998 deri më 2002, ka bërë thirrje për njohje më të madhe të “bëmave” të “Djajve të Kuq”, ndërsa pritshmëritë rriten që Manchester City mund të imitojë arritjen historike të rivalëve të tyre të qytetit të vitit 1999 (tripletën sezonale).

Manchester City, tashmë fitues i Premier League, do të bëhet vetëm skuadra e dytë që mund t’i ngrejë të tre trofetë sezonalë, nëse fiton finalen e “FA Cup” dhe Champions League kundër Interit, më 10 qershor në Stamboll. Në këtë mënyrë, skuadra e Pep Guardiolës do të përputhej me arritjet e skuadrës së Alex Ferguson, 24 vite më parë. Yorke, një figurë kyçe në atë grup, dëshiron që bëmat e shokëve të skuadrës së tij të njihen më mirë.

“Ata nuk po na tejkalojnë neve, por po i shkojnë pas asaj që kemi arritur tashmë, – tha 51-vjeçari gjatë një vizite në Hong Kong këtë javë. – Unë mendoj se njerëzit priren ta harrojnë këtë, duke u përpjekur të vendosin ekipin e Manchester City në piedestal, duke i atribuar diçka që asnjë ekip tjetër nuk e ka bërë më parë”.

Në të vërtetë, Manchester United aktual mund t’ia prishë parashikimet skuadrës së Guardiolës për t’i fituar të tria garat, pasi do të përballet me Haaland & CO në aktin final të “FA Cup” më 3 qershor.

Suksesi i “Citizens” ka nxitur krahasime midis skuadrave të Guardiolës dhe Fergusonit, por Yorke beson se diskutimi duhet të presë të paktën deri në fund të sezonit: “Pse të flasin për këtë, nëse nuk e kanë arritur tashmë?

Duhet të prisni derisa ta keni bërë, pastaj do të flasim për të. Njerëzit vrapojnë shumë shpejt”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat