FC Liqeni e barazon serinë finale, kampioni vendoset në kryeqytet 

Futboll

FC Liqeni e barazon serinë finale, kampioni vendoset në kryeqytet 

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 23:49
FC Liqeni

FC Liqeni e ka barazuar serinë finale të “play-off”-it të Superligës së Kosovës në futsall.

Skuadra nga Drenasi, të martën në mbrëmje, në palestrën “Hysni Jetullahu” fitoi me rezultatin 4:3 ndaj Prishtinës 01, në praninë e një numri të madh të shikuesve.

Ndeshja ishte e baraspeshuar deri në fund, por fitues dolën lojtarët e skuadrës nga Drenasi.

Liqeni kaloi në epërsi në fillim të ndeshjes, ndërsa kryeqytetasit më pas shënuan dy gola tjerë për ta përmbysur rezultatin në 2:1. 

Megjithatë, kolumbiani Camillo i realizoi golat vendimtar për vendasit. Fillimisht e barazoi rezultatin në 2:2 dhe në fund të pjesës së parë, realizoi golin tjetër për 3:2. 

Dardan Topilla më pas shënoi golin për shifrat 4:2, që edhe e vendosi fituesin.

Deri në fund të ndeshjes Prishtina 01 nuk arriti më shumë se sa ta ngushtojë epërsinë në 4:3 nëpërmjet një autogoli, por nuk e pati forcën ta dërgonte ndeshjen në vazhdime.

Ndeshja e tretë finale, e cila do ta përcaktojë skuadrën kampione, do të luhet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, më 11 qershor në orën 20:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat