Rumania do të përballet me Kosovën të premten, në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024.
Ndeshja do të luhet nga ora 20:45 në stadiumin e Prishtinës, shkruan mediumi rumun “Sport.ro”.
“Kombëtarja e Rumanisë do ta fillojë ndeshjen e së premtes si fituese e dy ndeshjeve të para të luajtura në Grupin I të kualifikueseve të EURO 2024.
Për të arritur deri të kjo seri pozitive, ekipi i Edi Iordănescu mundi Andorrën (2:0) dhe Bjellorusinë (2:1).
Rumania para ndeshjes me Kosovën është në vendin e dytë në Grupin I kualifikues, me pikë të barabarta me vendin e parë, Zvicrën, e cila gjithashtu ka një fillim perfekt të garave kualifikuese.
Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Andorra, Izraeli dhe Bjellorusia. Kosova është e treta në grup për kualifikuese, duke arritur vetëm dy barazime në dy ndeshje të luajtura.”, shkruan mediumi rumun.
“Çfarë duhet të dinë tifozët rumun nëse shkojnë në Prishtinë
Duke marrë parasysh situatën në Kosovë, Federata Rumune e Futbollit ka krijuar një grup punues në nivel të institucionit dhe filloi një dialog me Ministrinë e Punëve të Jashtme për këtë temë.
Lidhur me rumunët që do të udhëtojnë për të ndjekur ndeshjen në Prishtinë, tifozët apo gazetarët rumunë, Ministria e Punëve të Jashtme, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë, ka dërguar një sërë rekomandimesh:
Situata e sigurisë në veri të Kosovës mund të përkeqësohet edhe më shumë në të ardhmen e afërt.
Për shtetasit rumunë që dëshirojnë të shkojnë në Kosovë, rekomandojmë që hyrja në hapësirë të bëhet në kufirin me Maqedoninë e Veriut (Hani i Elezit – në veri të Shkupit) ose Serbinë (Merdare).
Ne nuk rekomandojmë hyrjen në Kosovë përmes Bërnjakut dhe Jarinjes, pasi ato mund të bllokohen ose mbyllen nga autoritetet e Kosovës me mbështetjen e trupave të KFOR-it, nëse situata e sigurisë përkeqësohet ndjeshëm.
Gjithashtu, i rekomandojmë përkrahësve rumunë që gjatë udhëtimit në Kosovë, veçanërisht në stadium, të mos këndojnë apo shfaqin mesazhe politike që mund të sjellin reagime nga shikuesit nikoqirë”, shkruan mediumi rumun.