Gjermania, Mali, Argjentina dhe Maroku vijojnë më tej në Indonezi

Futboll

Gjermania, Mali, Argjentina dhe Maroku vijojnë më tej në Indonezi

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Gjermania, Mali, Argjentina dhe Maroku i bashkohen Brazilit dhe Spanjës në raundin çerekfinal të Kampionatit Botëror të moshës deri në 17 vjeç, që është duke u zhvilluar në Indonezi dhe që po vjen drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.  

Gjermania ka patur një fitore të mundimshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa vetëm në fund ka fituar 3-2. Herman ka shënuar në të 14’. Ka barazuar për amerikanët Habrun e më pas Moershted çon Gjermanin në dhomat e zhveshjes me avantazhin 2-1. Ka barazuar Vaskes e në fund shpëtimi për kampionët e Europës të moshës deri në 17 vjeç vjen nga Jalçinkaja.  

Mali ka shkatërruar 5-0 Meksikën. Tre gola për 15 minuta, teksa Berri dhe Diarra vendosin dominimin e Malit. Më pas Kanate dhe Tia e 5-0, rezultat i cili do të ishte dhe në sfidën Argjentinë – Venezuelë. Balbo autogol, Lopez e Eçeverri fiksojnë shifrat 3-0, kurse dygolëshi i Rubertos i ka dhënë suksesin Argjentinës.  

Më spektakolare sfida Marok – Iran, sepse është ndeshja e parë që kërkoi gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltisë për të përcaktuar fituesin. Shënon Golizadeh e barazon në shtesë Azauzi. Në gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltisë, Benrozil është hero, ndërsa Maroku, falë golave të Uazane, Azauzi, Nazih dhe Zahuani fiksojnë shifrat 4-1.  

Për raundin çerekfinal, që luhet më 24 e 25 nëntor, janë përcaktuar çiftet Brazil – Argjentinë, Mali – Marok dhe Spanjë – Gjermani, kurse ndeshja e katërt do të zyrtarizohet nga fitueset e çifteve Angli – Uzbekistan dhe Francë – Senegal, që luhen të mërkurën. Kampionati Botëror i moshës deri në 17 vjeç përfundon të shtunën e 2 dhjetorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat