Kapiteni dhe Pavard titullarë, Inzaghi nuk rrezikon Dimarcon

Futboll

Kapiteni dhe Pavard titullarë, Inzaghi nuk rrezikon Dimarcon

Më: 5 janar 2024 Në ora: 22:42
Martinez e Inzaghi

Lautaro Martinez ka lënë pas problemet fizike dhe është gati të rikthehet si titullar me Interin. Zikaltrit presin të shtunën Hellas Veronën në “San Siro”, takim që duhet fituar me çdo kusht.

Trajneri Simone Inzaghi ka marrë lajme shumë të mira nga infermieria.

Kapiteni argjentinas, i cili humbi ndeshjet me Leccen dhe Genoan në kampionat, është gati të formojë dyshen sulmuese me francezin Thuram.

Nga minuta e parë do e nisë edhe Benjamin Pavard, i cili do të formojë treshen e prapavijës bashkë me Acerbin dhe Bastonin. Ndërkohë që tek Interi nuk duan të nxitohen në lidhje me Federico Dimarcon.

“Raketa” e krahut të majtë, i cili ka patur probleme muskulore, do të jetë në dispozicion të trajnerit Inzaghi. Me këtë të fundit që nuk do të rrezikojë lojtarin, i cili do e fillojë sfidën nga pankina.

Inter-Hellas Verona, e programuar për të shtunën në drekë, do të transmetohet live në SuperSport 2. Zikaltrit kryesojnë Serie A me dy pikë më shumë se Juventusi ndjekës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat