Formati i ri i Champions League me 36 ekipe në një kompeticion të stilit të kampionatit, shënon një ndryshim revolucionar këtë sezon. Faza tradicionale e grupeve do të zëvendësohet nga një strukturë e zgjeruar ku klubet do të përballen me tetë kundërshtarë të ndryshëm (dy nga çdo vazo, një ndeshje në shtëpi dhe një jashtë).
Pavarësisht kësaj, faza kualifikuese do të ketë një tabelë të vetme që përfshin të 36 ekipet pjesëmarrëse. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është futja e një procesi të ri shorti , i cili do të zhvillohet më 29 gusht në Monako.
Për herë të parë, softueri do të përcaktojë ndeshjet ndërmjet skuadrave. Ky ndryshim ka ngjallur shqetësime të shumta te tifozët, të cilët janë mësuar të shohin hedhjen fizike të goglave. Tani, ata duhet të vendosin besimin e tyre në një algoritëm kompjuterik.
Giorgio Marchetti, zv.sekretari i përgjithshëm i UEFA-s dhe Drejtor i Futbollit, donte të pastronte çdo dyshim në këtë drejtim: “Thjesht për të bindur tifozin, ne kemi punësuar një kompani të jashtme për ta bërë këtë. Softueri siguron që të gjendet një zgjidhje e vlefshme rastësore, bazuar në një ngjarje të drejtpërdrejtë.
Përpara se skuadrat të propozohen si kundërshtare, kryhet një kontroll i automatizuar i softuerit brenda aplikacionit. Kjo për t’u siguruar që shorti mund të përfundojë për çdo ekip, kështu shmangim një situatë bllokimi ku skuadrat pasuese nuk kanë kundërshtarë të vlefshëm për çdo vazo.
Në çdo fazë të shortit, përpara se të shfaqet një grup kundërshtarësh për një ekip të tërhequr, kryhet një kontroll automatik përmes softuerit me dy sisteme të tjera të jashtme të pavarura (të quajtura “verifikues”), të cilët verifikojnë që kundërshtarët e përzgjedhur përputhen me rregullat dhe se shorti mbetet i realizueshëm deri në fund. Ky proces është plotësisht i automatizuar nga sistemet dhe zgjat më pak se një sekondë”.