Djemtë kuqezi u stërvitën këtë të diel në Pragë, kryeqytetin e Çekisë, aty ku e nisën me fitore sezonin e ri të Nations League duke mundur 2-1 Ukrainën.
Trajneri Sylvinho punoi më shumë me lojtarët që nuk luajtën ndaj ukrainasve, ose që u aktivizuan në pjesën e dytë si Medon Berisha apo Arbër Hoxha. 11 futbollistët që nisën sfidën e së shtunës bënë vetëm seancë fizike pa top, pra thjesht një përgatitje e lehtë për të mos u mbingarkuar.
Trajneri brazilian do të analizojë gjendjen fizike të kombëtares, për të parë se çfarë ndryshimesh duhet të bëjë për duelin e dytë në grup, në Nivelin B të Ligës së Kombeve.
Të tillë si Manaj, Laçi, Ramadani, Asani, Hysaj apo Bajrami patën ngarkesë të madhe kundër Ukrainës e ndoshta ndonjë prej tyre mund të kursehet këtë të martë ndaj Gjeorgjisë.
Ndërkaq, këtë të hënë, “Kuqezinjtë” do të zhvillojnë seancën e dytë dhe të fundit përpara duelit.