Pika në Laç vlen shumë për Bylisin, sidomos në aspektin psikologjik.
Është një pikë e marrë në transfertë dhe për më tepër ndaj një rivali direkt për mbijetesë.
Kampionati është ndërprerë për shkak të impenjimeve të Kombëtares, por në Ballsh nuk humbasin kohë.
Kjo periudhë i shërben shumë trajnerit Egbo dhe stafit të tij për të kompaktësuar ekipin, që ka një përbërje të re. Fokusi është te sfida e radhës me Tiranën, që do të zhvillohet javën e ardhshme në Ballsh, duke nisur nga ora 16:00.
Mungon në skuadër Fabjan Përndreca, i grumbulluar me KombëtarenU-19. Ballshiotët i pret një kalendar jo i lehtë, me tri sfida delikate, duke nisur nga aj në shtëpi me Tiranën. Më pas vijnë dy transferta radhazi, në Rrogozhinë me Egnatian dhe në Shkodër me Vllazninë.
MBROJTJA – Në dy javët e fundit të kampionatit Bylisi nuk ka pësuar gol, çka do të thotë se prapavija ka funksionuar mirë dhe duket se jep garanci për sezonin.
Edhe pse me lojtarë të rinj, trajneri Egbo ia ka dalë ta stabilizojë këtë repart të rëndësishëm. Bylisi rezultoi një “kockë e fortë”, si për Dinamon, ashtu edhe për Laçin.