Tijjani Reijnders, “mbreti” i ri i Milanit

Futboll

Tijjani Reijnders, “mbreti” i ri i Milanit

Më: 5 dhjetor 2024 Në ora: 13:04
Tijjani Reijnders

Milani ka gjetur te Tijjani Reijnders, mesfushori 25-vjeçar holandez, një figurë të re udhëheqëse në traditën e tij të lavdishme të lojtarëve holandezë. Pas emrave legjendarë si Van Basten, Gullit, Rijkaard dhe Seedorf, Reijnders po shfaqet si figurë kyçe për kuqezinjtë dhe futbollin europian.

Një fillim premtues, që u shndërrua në “shpërthim”

Reijnders mbërriti te Milani nga AZ Alkmaar për 20.5 milionë euro dhe ndikimi i tij në Serie A nuk ka kaluar pa u vënë re. Edhe pse sezoni i kaluar ishte vetëm një shenjë e aftësisë së tij, këtë sezon është konsoliduar si një nga mesfushorët më të mirë të kampionatit italian. Me 7 gola dhe 3 asiste në vetëm 18 ndeshje, holandezi ka tejkaluar rekordet e tij të mëparshme, duke u dalluar si mesfushori më golashënues i Serie A.

Aftësia për të qenë vendimtar shihet në serinë e tij të 8 ndeshjeve radhazi, ku ka shënuar ose asistuar. Golat kyç në “Coppa Italia”, Serie A dhe Ligën e Kampionëve e forcojnë reputacionin e tij, sidomos dopieta ndaj Bruges në Europë. Një arritje që e vendos atë krah emrave si Seedorf dhe Van Basten në historinë e Milanit.

Lavdërimet nga legjendat
Reijnders ka marrë fjalë admiruese nga figura të mëdha të futbollit holandez dhe të Milanit.

Clarence Seedorf: “Tijjani është në formë të shkëlqyer, duke i shndërruar mundësitë e tij në gola të rëndësishëm. Ka gjithçka për të qenë një yll”.

Frank Rijkaard: “Shpresoj që të bëhet një nga mesfushorët më të mirë të botës. Stili i tij i lojës është i mrekullueshëm dhe ndikimi te Milani po rritet vazhdimisht”.

Ruud Gullit: “Rritja e tij është impresionuese. E pashë të luante para disa vitesh dhe nuk mund ta imagjinoja që do të arrinte këtë nivel kaq të lartë në personalitet dhe performancë”.

Angazhimi me Milanin

Reijnders është shumë i kënaqur me eksperiencën e tij te kuqezinjtë dhe ka shprehur dëshirën për të qëndruar gjatë:
“Jam shumë i lumtur këtu. Po bisedojmë për rinovimin e kontratës. Ky është një nga klubet më të mirë të botës, ndihem krenar që luaj këtu”.

E ardhmja e “tulipanit” të Milanit

Kombinimi i talentit, punës së palodhur dhe një mjedisi që favorizon zhvillimin e tij po e çon Tijjani Reijnders në një nga premtimet më të mëdha të futbollit botëror. Rritja e tij e shpejtë ka bërë që Milani dhe tifozët kuqezinj të ëndërrojnë për një të ardhme të ndritur, udhëhequr nga “Rei” i ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat