UEFA vlerëson iniciativën e FFK-së për Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Futboll

UEFA vlerëson iniciativën e FFK-së për Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Më: 11 mars 2026 Në ora: 16:17
UEFA

UEFA e ka vlerësuar iniciativën e Federatës së Futbollit të Kosovës në një artikull të publikuar në faqen e saj zyrtare, ku janë prezantuar aktivitetet e federatave evropiane për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe promovimin e rolit të grave dhe vajzave në futboll.

Në këtë artikull, UEFA thekson se federatat kombëtare në mbarë Evropën kanë organizuar një sërë aktivitetesh për të vënë në pah kontributin e grave në futboll, përmes fushatave ndërgjegjësuese, tregimeve digjitale dhe ngjarjeve të veçanta që synojnë të frymëzojnë gjeneratat e reja të vajzave që të përfshihen në këtë sport.

Në mesin e këtyre iniciativave është përmendur edhe projekti i realizuar nga FFK-ja, e cila publikoi një video frymëzuese më 8 Mars me mesazhin “Fuqia jonë ndryshon lojën”, duke theksuar fuqinë dhe ndikimin e grave në zhvillimin e futbollit në Kosovë.

UEFA shkruan se në videon e FFK-së paraqiten disa prej figurave më të rëndësishme të futbollit të femrave në Kosovë, përfshirë kapitenen e Kombëtares së Kosovës, Erëleta Memeti, gjyqtaren e njohur kosovare Lumturie Muhadri, si dhe udhëheqësen e edukimit të trajnerëve në FFK, Sanije Krasniqi.

Përmes historive dhe përkushtimit të tyre, videoja nënvizon lidershipin, pasionin dhe vendosmërinë e grave që po kontribuojnë në ndërtimin e së ardhmes së futbollit në Kosovë, thekson UEFA.

Artikulli i UEFA-s gjithashtu thekson strategjinë e saj për zhvillimin e futbollit të femrave, “Unstoppable”, e cila synon që deri në vitin 2030 futbolli të bëhet sporti ekipor më i luajtur nga vajzat dhe gratë në Evropë, duke krijuar më shumë mundësi për lojtare, trajnere dhe gjyqtare në të gjitha nivelet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat