Të përfshirë në 59 gola këtë sezon vetëm në kampionat

Futboll

Të përfshirë në 59 gola këtë sezon vetëm në kampionat

Më: 19 mars 2026 Në ora: 13:26
Sulmuesit e Kombëtares së moshave

Sulmuesit e moshave të Kombëtares shqiptare po japin rezultate mbreslënëse te skuadra italiane në Primavera (kampionati i moshave). Frederik Tosku gëzon statistikat më të mira, ndërsa luan me Cezenën.

20-vjeçari ka shënuar 10 gola dhe ka asistuar 3 herë në 19 ndeshje. Një tjetër emër që po bën “bujë” është Gabriel Kulla. Qendërsulmuesi i Sassuolos gëzon shifra për t’u admiruar, 13 gola e 8 asiste në 18 prezenca, vetëm kampionat.

Flavio Sulejmani është një tjetër lojtar që nuk rresht së shënuari me Lazion.

19-vjeçari numëron 11 finalizime, shtoi 6 kontribute me asiste te kryeqytetasit në 27 paraqitje.

Arman Durmishi nuk ka nevojë për “reklamë”, 9 gola e 1 asist te Juventusi. Kuot e arritur në 18 ndeshje. I fundit në këtë “tablo”, por jo nga rëndësia është Joi Nuredini, 5 konkretizime dhe 1 asist në 12 ndeshje te Genoa.

Rezymeja e mësipërme jep shumë shpresë se Shqipëria ka një brez të “artë” sulmuesish, të cilët premtojnë shumë për të ardhmen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat