Skuadra shqiptare në finale të Kupës së Malit të Zi, për trofeun përballet me Mornarin

Futboll

Skuadra shqiptare në finale të Kupës së Malit të Zi, për trofeun përballet me Mornarin

Nga: K.G. Më: 6 maj 2026 Në ora: 21:21
Deçiqi

Për herë të dytë radhazi, në finalen e Kupës së Malit të Zi do të përballen skuadra shqiptare Deçiqi nga Tuzi dhe ajo malazeze Mornari nga Tivari.

Pasi skuadra nga Tivari eliminoi Jezeron, edhe Deçiqi justifikoi rolin e favoritit, duke mposhtur në fushën e vet me rezultat 1:0 skuadrën shqiptare Otrant Olimpik nga Ulqini dhe duke siguruar finalen e katërt në gjashtë vitet e fundit.

Tuzjanët do të kenë kështu mundësinë të mbrojnë trofeun e fituar sezonin e kaluar.

Ndeshja në Tuz ishte shumë interesante, me raste nga të dyja anët. Për paraqitjen në të dy takimet, skuadra e ligës së dytë nga Ulqini meriton të gjitha lëvdatat.

Edhe kësaj here ata iu kundërvunë fort vendasve dhe me siguri kanë arsye për të ndier keqardhje për eliminimin.

Momenti vendimtar erdhi në minutën e 81-të.

Pas një ndërhyrjeje nga prapa ndaj Ibrahim Endijajes, gjyqtari akordoi penallti pa hezitim.

Nga pika e bardhë i saktë ishte futbollisti Petar Golluboviq, i cili shënoi golin e fitores.

Edhe ndeshjen e parë e fituan në Ulqin me rezultat 2:1. 

Finalja mes Deçiqit dhe Mornarit do të luhet më 28 maj, ndërsa ekziston mundësia e madhe që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin në Cetinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat