Tri xhiro përpara mbylljes së sezonit, Shkëndija sot (16.00) kërkon vetëm fitoren në derbin ndaj Strugës Trim Lum për të qëndruar matematikisht në garë për titullin kampion.
“Vetëm tre pikët në këtë përballje mbajnë gjallë shpresat e kuqezinjve për fronin e futbollit vendor
Ekipi vjen me moral pozitiv pas kualifikimit në finalen e madhe të Kupës gjatë mesjavës
Ky është takimi i katërt sezonal mes këtyre dy skuadrave, me një rivalitet që ka prodhuar gjithmonë emocione.
Mungesa:
Besart Ibraimi nuk është gati për lojë për shkak të lëndimit që po e mban jashtë fushave.
Fabrice Tamba dhe Ronaldo Webster mungojnë në këtë sfidë për shkak të pezullimeve me kartonë të kuq.
Reshat Ramadani mbetet jashtë deri në fund të edicionit pas operimit të ligamenteve.
Në dyshim:
Imran Fetai dhe Endrit Krasniqi kanë shqetësime fizike, ndërsa Liridon Latifi po përballet me një virozë, andaj aktivizimi i tyre mbetet në pikëpyetje deri para fillimit të ndeshjes.
Përballjet direkte: Shkëndija ka bilanc pozitiv këtë sezon ndaj Strugës, me një fitore 2:0 në Tetovë dhe dy barazime (1:1 në kampionat dhe 2:2 në Kupë, ku kaluam tutje 5:4 me penallti).
Struga pozicionohet në vendin e tretë dhe dalja e tyre në Evropë mund të varet drejtpërdrejt nga triumfi eventual i Shkëndijës në finalen e Kupës ndaj Sileksit.
Kur kanë mbetur edhe 9 pikë në lojë deri në fund, çdo rezultat tjetër përveç fitores do të shuante shpresat për titull.
Ky do të jetë takimi i tretë kampionat i këtij edicioni, me kuqezinjtë që synojnë të mbeten të pamposhtur ndaj ekipit strugan”, thuhet nga klubi Shkëndija.