Meneghini: U frymëzova nga Dunga, Brazili gati për të fituar titullin

Futboll

Meneghini: U frymëzova nga Dunga, Brazili gati për të fituar titullin

Më: 12 maj 2026 Në ora: 15:30
Meneghini

Në një punishte pranë stadiumit legjendar Maracanã, artizani brazilian Jarbas Meneghini po vazhdon të ushqejë pasionin e tifozëve për Kombëtaren braziliane duke prodhuar me mijëra kopje të trofeut të Kupës së Botës.

58-vjeçari ka krijuar më shumë se 3,000 replika të trofeut të famshëm, të cilat eksportohen në 17 vende të Amerikës dhe Evropës.

Frymëzimi i tij nisi në vitin 1994, kur pa kapitenin legjendar Dunga duke ngritur Kupën e Botës pas triumfit të Brazilit në Shtetet e Bashkuara.

“E pashë Dungën me trofeun dhe mendova se do të blija një të tillë, por nuk gjendej askund. Atëherë vendosa ta krijoja vetë duke përdorur aftësitë që kisha fituar duke punuar me metal”, tha Meneghini.

Artizani prodhon me dorë trofe prej gipsi, të cilët më pas lyhen me ar ose krom për t’u dhënë një pamje sa më reale. Disa modele kanë një shkëlqim të veçantë reflektues, që sipas tij i bëjnë edhe më tërheqës për tifozët.

“Bëj mijëra trofe nga e njëjta formë. Disa janë të lyer, ndërsa të tjerë i bëj me krom që të reflektojnë fytyrën e atij që i mban apo i puth”, u shpreh artizani.

Edhe pse Brazili mbetet skuadra më e suksesshme në historinë e Kupës së Botës me pesë tituj, trofeu mungon që nga viti 2002. Megjithatë, tifozët vazhdojnë të besojnë se pritja e gjatë do të marrë fund.

“Brazili ka shumë vite pa e fituar Kupën e Botës. Por shpresa është rikthyer sërish në zemrat tona”, tha Meneghini.

Për turneun që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë duke nisur më 11 qershor, Meneghini ka prodhuar tashmë rreth 600 kopje shumë më tepër se 100 apo 200 që realizonte në edicionet e mëparshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat