Guardiola: Nuk kemi presion shtesë pas fitores së Arsenal

Futboll

Guardiola: Nuk kemi presion shtesë pas fitores së Arsenal

Më: 12 maj 2026 Në ora: 20:17
Pep Guardiola

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka deklaruar se skuadra e tij nuk ndjen presion shtesë në garën për titull, pavarësisht fitores së Arsenal ndaj West Ham United.

Arsenali ka fituar në fundjavë dhe ka krijuar pesë pikë epërsi në krye të tabelës së Premier League, por City ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

City përballet të mërkurën me Crystal Palace dhe edhe në rast fitore do të mbetet dy pikë pas Arsenal, me dy ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.

“Presioni është i njëjtë si para dy apo tri ditësh. Atë që nuk mund ta kontrollosh, duhet ta harrosh”, ka thënë Guardiola në konferencë për media.

Ai ka shtuar se objektivi i City është të përmirësojë gabimet e bëra gjatë sezonit dhe të mbetet në garë për titull deri në fund.

Guardiola ka paralajmëruar se Crystal Palace do të jetë kundërshtar i vështirë, edhe pse skuadra londineze nuk ka fituar në katër ndeshjet e fundit në kampionat.

Trajneri spanjoll e ka përmendur edhe finalen e Europa Conference League që Palace do ta luajë më 27 maj ndaj Rayo Vallecano.

Sipas Guardiolës, skuadra angleze ka cilësi, pavarësisht luhatjeve në rezultate dhe ndryshimeve brenda klubit, përfshirë largimin e trajnerit Oliver Glasner.

Ndërkohë, Guardiola e ka konfirmuar se mesfushori Rodri dhe mbrojtësi Abdukodir Khusanov janë duke u rikuperuar nga lëndimet, por nuk ka treguar nëse do të luajnë ndaj Palace.

Trajneri i City e ka pranuar se mund të bëjë rotacione në formacion, pasi skuadra do të luajë finalen e FA Cup kundër Chelsea të shtunën, ndërsa tri ditë më vonë përballet me Bournemouth.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat