Teherani i dha një lamtumirë emocionuese ekipit kombëtar të futbollit, i cili po përgatitet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për pjesëmarrjen në Kupën e Botës.
Ceremonia u zhvillua në Sheshin Engelab, në zemër të kryeqytetit iranian, ku mijëra tifozë u mblodhën për të mbështetur skuadrën kombëtare mes atmosferës patriotike dhe tensioneve politike që vazhdojnë të dominojnë rajonin.
Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, deklaroi se kombëtarja do të përfaqësojë jo vetëm sportin iranian, por edhe “popullin, luftëtarët, Udhëheqësin Suprem dhe kombin”.
Ai e cilësoi skuadrën si “ekipi kombëtar i futbollit të kohës së luftës”, duke shtuar se ajo do të jetë “një shtyllë autoriteti dhe rezistence”.
Lojtarët dhe stafi teknik, të drejtuar nga trajneri Amir Galenej, morën pjesë në ceremoninë ku tifozët valëvitën flamuj kombëtarë dhe brohoritën slogane patriotike.
Në mesin e turmës u panë pankarta dhe imazhe të liderit suprem Ali Khamenei, i cili sipas autoriteteve iraniane humbi jetën gjatë sulmeve izraelito-amerikane ndaj Iranit, ngjarje që përshkallëzuan konfliktin në Lindjen e Mesme.
Një nga pankartat më të komentuara mbante mesazhin: “Për gjakun e martirëve, këndoni himnin kombëtar me vendosmëri dhe pa hezitim”, duke reflektuar klimën e fortë emocionale dhe politike që shoqëron nisjen e ekipit drejt Botërorit.
Ndërkohë, mbeten ende pikëpyetje mbi procedurat e hyrjes në Shtetet e Bashkuara për delegacionin iranian.
Vetëm pak ditë më parë, Mehdi Taj u kthye mbrapsht nga autoritetet kufitare në Kanada, pak orë para Kongresit të FIFA-s, çka ka ngritur shqetësime mbi trajtimin që mund të marrë delegacioni iranian gjatë turneut.
Sipas planit, kombëtarja iraniane do të zhvillojë kampin stërvitor në Tucson, ndërsa ndeshjet e fazës së grupeve do të luhen mes Los Angeles dhe Seattle.
Pavarësisht tensioneve politike, tifozët iranianë shpresojnë që skuadra të arrijë të bashkojë kombin dhe të sjellë krenari në një moment të vështirë për vendin.