Mbrojtësi veteran Yuto Nagatomo ka shpërthyer në lot pasi ka marrë lajmin zyrtar se do të jetë pjesë e kombëtares së Japonisë për Botërorin 2026, raporton Foot Africa.
Në moshën 39-vjeçare, ish-lojtari i Interit do të luajë në Botërorin e pestë në karrierën e tij, duke u shndërruar në futbollistin e parë japonez në histori që arrin këtë numër pjesëmarrjesh në ngjarjen më të madhe të futbollit.
Në një video të publikuar nga Federata Japoneze e Futbollit, Nagatomo u pa mjaft i prekur dhe i përlotur në momentin kur zbuloi emrin e tij në listën finale të "Samurajve të Kaltër".
Paraqitja e tij e fundit me kombëtaren datonte që nga shtatori i vitit 2025 në një ndeshje kundër Shteteve të Bashkuara, gjë që kishte shtuar spekulimet se karriera e tij ndërkombëtare kishte përfunduar.
Përzgjedhësi i Japonisë, Hajime Moriyasu, vendosi të besojë verbërisht te përvoja dhe lidershipi i mbrojtësit, krahas yjeve të tjerë të konfirmuar të skuadrës si Wataru Endo dhe Junya Ito. Sipas raportimeve nga Foot Africa, stafi teknik e sheh praninë e tij si jetike për dhomën e zhveshjes:
"Trajneri Moriyasu ka vendosur të mbështetet fort te përvoja dhe lidershipi i Nagatomos për të udhëhequr grupin në këtë turne kaq prestigjioz.", janë shprehur stafi teknik.
Nagatomo ka qenë një shtyllë e rregullt e Japonisë në Botërore që nga viti 2010, duke luajtur një rol kyç në kualifikimet historike të ekipit në të tetën e finales në edicionet e viteve 2010, 2018 dhe 2022.
Ky grumbullim për Botërorin 2026 jo vetëm që e vendos Yuto Nagatomon në librat e historisë së futbollit japonez, por vërteton se mosha është thjesht një numër kur bëhet fjalë për pasionin dhe përkushtimin.
Në moshën 39-vjeçare, mbrojtësi legjendar është gati të nisë një tjetër aventurë madhështore në skenën më të lartë të futbollit botëror.