Shkëndija e Tetovës zbresin sonte (20.00) në arenën kryesore të vendit me synimin e vetëm për të rikthyer trofeun e Kupës në Tetovë pas tetë viteve pauzë, në një natë ku Shkupi do të vishet me ngjyrat tona.
Shkëndija kërkon të kurorëzojë sezonin me trofeun e madh të Kupës, të cilin nuk e ka fituar që nga viti i suksesshëm 2018
Kjo është finalja e gjashtë historike për kuqezinjtë, të cilët synojnë të shkruajnë një tjetër faqe lavdie në këtë garë
Ndeshja ka rëndësi jetike edhe për kundërshtarin, pasi për Sileksin ky trofe përfaqëson të vetmen rrugë për të siguruar daljen në Evropë
“Besart Ibraimi mbetet jashtë formacionit për këtë finale të madhe për arsye lëndimi.
Ronaldo Webster mungon në këtë përballje jetike për shkak të pezullimit me karton të kuq.
Reshat Ramadani vazhdon të jetë jashtë fushave shkaku i dëmtimit të rëndë të ligamenteve.
Historiku në finale: Shkëndija kërkon trofeun e tretë pas sukseseve në vitet 2016 (2:0 ndaj Rabotniçkit) dhe 2018 (3:0 ndaj Pelisterit), ndërsa ka pësuar disfata në finalet e viteve 2006 (Makedonija Gj.P. 3:2), 2013 (Teteksi 1:1, 6:5 me penalti) dhe 2017 (Pelisteri 0:0, 4:3 me penalti)
Kundërshtari: Sileksi është një ekspert i kësaj gare me 3 trofe të fituar në historinë e vet, por këtë sezon ka ngecur në vendin e katërt në kampionat.
Stadiumi: Kuqezinjtë ndihen si vendas në “Todor Proeski”, duke qenë se ndeshjet evropiane i kemi luajtur pikërisht aty
Rruga e Shkëndijës: Kuqezinjtë arritën në finale pasi eliminuan Yeni Maalen (9:0), Tikveshin (2:0), Strugën (me penallti 4:3) dhe Shkëndijën e Haraçinës në gjysmëfinale me dy fitore (3:2 dhe 2:0).
Rruga e Sileksit: Ekipi nga Kratova kaloi Evrotip Online (7:1), Bashkimin (2:1), Detonit Plaçkovicën (3:0), dhe në gjysmëfinale eliminoi Ohrin pas barazimit 1:1 dhe fitores 1:0 në shtëpi.
Përballjet direkte: Shkëndija ka qenë dominante këtë sezon ndaj Sileksit në kampionat me dy fitore (2:0 në Tetovë, 2:1 në Kratovë) dhe një barazim 1:1 në duelin e fundit.
Objektivi Evropian: Shkëndija tashmë e ka të siguruar biletën për në Evropë përmes kampionatit, duke luajtur pa këtë presion, për dallim nga Sileksi që luan gjithçka për gjithçka.
Lojtari i 12-të: “Ballistët” kanë paralajmëruar një pjesëmarrje masive dhe të organizuar drejt Shkupit, duke garantuar një atmosferë madhështore në përkrahje të kuqezinjve”, njofton Shkëndija.