Minutat e fundit të finales së Kupës së Kosovës në futboll, i qiten hije të keqe kësaj ngjarje të madhe sidomos pas braktisjes së fushës nga Ferizaj në shenjë të pakënaqësisë me gjyqtarin Genc Nuza.
Ferizajasit kërkuan penallti por Nuza nuk mendoj ashtu dhe nuk e ka shikuar as VAR-in.
Megjithatë Ferizaj kthehet nga teshatoret pas dhjetë minutave në fushë, ku pësuan humbje me rezultat 2:1 nga Dukagjini i Klinës.
Ish trajneri i Ferizajt, Agron Selmani, ka versionin e tij.
“Fakti që pati ndërprerje dhe tërheqje të ekipit nga fusha tregon se finalja e Kupës së Kosovës nuk u menaxhua në mënyrën më të mirë të mundshme nga të gjithë akterët.
Në një ndeshje të këtij niveli, komunikimi ndërmjet arbitrave, delegatit të ndeshjes dhe shtabeve teknike të klubeve duhet të jetë shumë më i qartë për të shmangur eskalimin emocional.
Kthimi i ekipit të FC Ferizajt në fushë pas insistimit të faktorëve relevantë tregon se kishte përpjekje për ta ruajtur integritetin sportiv të finales, edhe pse dëmi emocional dhe tensioni tashmë ishte krijuar.
Nuk mund te mos e themi, por, Ferizaj pati momentin për ta kthyer finalen në favorin e vet, kur Dukagjini mbeti me një lojtar më pak, por, edhe pas epërsisë numerike, Ferizaj luajti më shumë emocion sesa me organizim që gjasonte në një “kaos emocional”.
Goli i Dukagjinit vetëm pak minuta pas kartonit të kuq ishte momenti ku Ferizaj duhej ta kontrollonte ndeshjen sepse siguroi epërsinë numerike por u gjet i papërgatitur. Ferizaji pati dëshirë dhe mbështetje emocionale të madhe, por mungoi menaxhimi racional i lojës. Në ndeshje te futbollit superioriteti numerik nuk mjafton vetvetiu; duhet qartësi taktike por edhe kontroll emocional.
Është e kuptueshme që në një finale me ngarkesë të madhe emocionale mund të ketë reagime impulsive ndaj vendimeve të arbitrit apo zhvillimeve në fushë.
Megjithatë, tërheqja e skuadrës nga loja krijon perceptim negativ për disiplinën dhe stabilitetin e ekipit në momente presioni.
Një shtab teknik zakonisht duhet të jetë elementi që ruan qetësinë dhe kontrollin emocional të futbollistëve.
Refuzimi i medaljeve si finalist duhet kuptuar dhe është një mesazh proteste, por në aspektin sportiv nuk lë përshtypjen e mirë.
Futbolli kërkon kulturë sportive edhe atëher kur nuk e marr ma të mirën, duhet ta dijm se mënyra se si menaxhohet humbja shpesh mbetet më gjatë në kujtesën e opinionit sesa vetë rezultati”, ka shkruar Selmani në profilin e tij në Facebook.